Një epokë do të mbyllet pikërisht në stadiumin “José Alvalade” të Sportingut në Lisbonë, pikërisht aty ku nisi rrugëtimin e tij drejt futbollit elitar, Cristiano Ronaldo.

Për këtë arsye, gjithçka duket se është menduar që lamtumira e një prej futbollistëve më të mëdhenj të historisë të vijë në një skenë me simbolikë të veçantë.

Nëse raportimet konfirmohen, sfida ndaj Uellsit do të jetë paraqitja e fundit e Cristiano Ronaldos me fanelën e Portugalisë, duke mbyllur një kapitull që zgjati më shumë se dy dekada.

Bilanci i tij me kombëtaren është i jashtëzakonshëm: 233 ndeshje dhe 146 gola, statistika që e bëjnë golashënuesin më të mirë në historinë e futbollit të kombëtareve.

Gjatë kësaj periudhe, ai udhëhoqi Portugalinë drejt triumfit historik në Euro 2016 dhe në Ligën e Kombeve, duke u shndërruar në ikonën absolute të futbollit portugez.

Edhe pse ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga vetë Ronaldo apo Federata Portugeze e Futbollit, raportimet kanë ndezur menjëherë emocionet te tifozët, të cilët mund të jenë dëshmitarë të ndeshjes së fundit të legjendës 41-vjeçare me fanellën e Portugalisë.