Pas incidentit që ndodhi dje në Fushë-Krujë, ku ndeshja mes Ilirisë dhe Skënderbeut u pezullua, ka reaguar drejtori i klubit korçar, Ilirjan Përmeti. Ai tha se ekipi i tij është përballur me dhunë brenda ambienteve të stadiumit dhe se, për shkak të këtij incidenti, ishte i pamundur vijimi i takimit.

“Nuk jam këtu për të replikuar me klubin Iliria, por për të sensibilizuar opinionin sportiv dhe çdo tifoz të qytetit të Korçës. Ne nuk duam të dëmtojmë asnjë klub. Këtë e kemi treguar me fakte dhe jemi përpjekur të tregohemi tolerantë. Ne nuk abuzojmë me askënd,”– deklaroi drejtori.

Sipas tij, incidenti ka ndodhur në dhomat e zhveshjes, ku lojtarë dhe zyrtarë të Ilirisë ushtruan dhunë fizike ndaj futbollistëve të Skënderbeut.

“I gjithë stafi ynë ishte aty. Ekipi hyri në dhomat e zhveshjes dhe aty ndodhi një përplasje fizike. Kjo është e vërtetueshme, pasi 4–5 lojtarë tanë kishin shenja në trup. Nëse kamerat kanë qenë funksionale, gjithçka verifikohet lehtë,” – theksoi Përmeti.

Ai shtoi se, për shkak të panikut dhe presionit nga familjarët, ndeshja nuk mund të vazhdonte.

“Pretendimi i tyre ishte se kishte provokim nga ana e trajnerit, por e vërteta është se lojtarët tanë kishin shenja. Në ato kushte, me tensionin dhe frikën që ishte krijuar, zhvillimi i ndeshjes ishte i pamundur,” – u shpreh drejtori.

Zyrtarisht, policia ka njoftuar se tre lojtarë të klubit Iliria janë proceduar penalisht në gjendje të lirë pas dhunës së ushtruar ndaj futbollistit egjiptian të Skënderbeut, Nasr.