Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë FSHF-së ka publikuar vendimet për incidentet e regjistruara në javët e fundit në futbollin shqiptar.
Presidenti i klubit shkodran, Alban Xhaferi është dënuar me 15 ndeshje pezullim nga aktivitetet sportive, për sulm ndaj arbitrit të ndeshjes, Ergys Spahiu. Përveç pezullimit, Xhaferit i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet gjatë zhvillimit të aktiviteteve sportive të organizuara nga FSHF, deri në përfundimin e dënimit.
Ndëshkimet për Vllazninë vijojnë edhe me Edi Martinin, i cili është pezulluar për 6 ndeshje, për shkelje të rregullave themelore të sjelljes së mirë dhe sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Ndërkohë, Elis Dervishaj është dënuar me 4 ndeshje pezullim, gjithashtu për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të takimit. Në total, tre zyrtarët e Vllaznisë grumbullojnë 25 ndeshje pezullim, duke e bërë vendimin një prej masave më të ashpra disiplinore të marra së fundmi ndaj një klubi shqiptar.
Edhe trajneri i Dinamo City, Ilir Daja, është ndëshkuar nga Komisioni i Disiplinës. Ai është dënuar me 2 ndeshje pezullim për protestë ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes.
Vendimet e plota:
AF Elbasani, për mospërmbushje të përgjegjësive lidhur me rendin dhe sigurinë, për incidentet e ndodhura pas përfundimit të ndeshjes, si brenda ashtu edhe në afërsi të stadiumit, në bazë të neneve 8/1 dhe 17/1 të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
Zyrtari i KF Vllaznia, Alban Xhaferi, për sulm ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/l të KDE, dënohet me 15 (pesëmbëdhjetë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
Në zbatim të nenit 6/2/c të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet gjatë zhvillimit të veprimtarive sportive të organizuara nga FSHF, deri në përfundimin e dënimit.
Zyrtari i KF Vllaznia, Edi Martini, për shkelje të rregullave themelore të sjelljes së mirë dhe sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të neneve 13/2 dhe 14/1/j të KDE dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
Zyrtari i KF Vllaznia, Elis Dervishaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
Zyrtari i FC Dinamo City, Ilir Daja, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/c të KDE, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
Pranimin e kërkesës së lojtarit të FK Partizani, Human Lancaster Roëan, për konvertimin e pjesës së mbetur të dënimit, bazuar në nenin 75 të Kodit të Disiplinës dhe Etikës.
Rrëzimin e kërkesës së Klubit të Futbollit Delvina, në lidhje me faljen e dënimit për zhvillimin e ndeshjeve pa spektatorë, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikës.
Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të KF Iliria, Brajan Selmani, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikës.
Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të KF Oriku, Bruno Telushi, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikës.
Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.
