Vetëm pak ditë përpara çerekfinales së Kupës së Botës 2026, që luhet të shtunën në Miami, Anglia dhe Norvegjia po përballen me shqetësime shëndetësore.

Sipas Daily Mail, Declan Rice, një nga mesfushorët më të rëndësishëm të Anglisë, është infektuar nga një virus dhe është vendosur në izolim për të shmangur përhapjen te pjesa tjetër e skuadrës.

Futbollisti i Arsenalit ka munguar në dy seanca stërvitore njëra pas tjetrës si pasojë e gjendjes së tij, ndërsa Federata Angleze e Futbollit ka reaguar menjëherë duke e mbajtur të ndarë nga grupi. Në kampin anglez mendohet se situata është e kontrolluar dhe se infeksioni nuk ka prekur lojtarët e tjerë.

Më herët, Rice kishte shfaqur edhe probleme fizike në kofshë dhe në pjesën e poshtme të shpinës, ndërsa mungesa e tij në këtë çerekfinale do të përbënte një goditje të rëndë për trajnerin e Anglisë.

Vështirësi të ngjashme ka edhe Norvegjia. Portieri Orjan Nyland ka bërë të ditur se disa futbollistë të skuadrës janë sëmurë, ndërsa mjeku i kombëtares po punon intensivisht për ta mbajtur situatën nën menaxhim.

“Është e vërtetë, kemi pasur probleme. Po bëjmë gjithçka që mundemi dhe mjeku ynë është shumë i zënë për momentin. Shpresojmë që gjithçka të jetë mirë dhe të përballemi me Anglinë me një ekip plotësisht të gatshëm”, deklaroi Nyland.

Ndërkohë, dy lojtarë norvegjezë kanë munguar tashmë në ndeshje për shkak të sëmundjes, ndërsa gjatë konferencës për shtyp është vënë re edhe trajneri Stale Solbakken duke kollitur.

Jorgen Strand Larsen, sulmuesi i Norvegjisë, nuk luajti në ndeshjen e parë të turneut për shkak të sëmundjes, ndërsa Marcus Holmgren Pedersen mbeti jashtë skuadrës në përballjen kundër Brazilit.

Angli – Norvegji konsiderohet një nga ndeshjet më tërheqëse të çerekfinaleve, por përpara se të sfidojnë njëra-tjetrën në fushë, të dyja përfaqësueset po përballen edhe me një tjetër kundërshtar: virusin.