Dinamo tashmë e di kundërshtarin e saj në play-off-in e UEFA Conference League.
Blutë do të përballen me skuadrën qipriote, Pafos, në dy ndeshje që do të vendosin skuadrën që do të sigurojë një vend në fazën e ligës së Conference League.
Pafos vjen në këtë përballje pas një tjetër aventure të rëndësishme në Europë. Klubi qipriot bëri historinë sezonin e kaluar, duke u kualifikuar për herë të parë në fazën e ligës së Champions League, ku pati përballë kundërshtarë të mëdhenj të futbollit europian, mes tyre Bayern Munich dhe Chelsea.
Këtë sezon, Pafos tentoi të përsëriste suksesin në arenën europiane, por rrugëtimi i tij në Europa League u ndërpre nga Salzburg. Pas eliminimit, skuadra qipriote zbret në Conference League, ku shorti e vendosi përballë Dinamos.
Nga ana tjetër, Dinamo siguroi kualifikimin në play-off pas një përmbysjeje spektakolare ndaj Audës. Pas humbjes 0-1 në ndeshjen e parë në Letoni, skuadra e Ilir Dajës fitoi 4-0 në “Elbasan Arena” dhe siguroi kalimin me rezultatin e përgjithshëm 4-1.
Për Dinamon, sfida me Pafos do të jetë një tjetër provë e fortë në arenën europiane. Nëse blutë arrijnë të eliminojnë kampionët e Qipros, do të sigurojnë një vend në fazën e ligës së Conference League, duke vazhduar kështu aventurën europiane.
Ndeshja e parë Dinamo-Pafos do të luhet më 20 gusht 2026, ndërsa shtatë ditë më vonë do të luhet sfida e kthimit.
Top Channel
