Dinamo është sërish ‘pronare’ e Kupës së Shqipërisë, kjo pas fitores 3-2 me Egnatian në “Air Albania”.
Sfida e luajtur në kryeqytet nisi me ritëm të lartë, por rrogozhinasit mbetën me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Bakayokos që në minutën e 10-të, i cili shkaktoi një ndërhyrje të rëndë në fytyrë ndaj portierit Teqja, që u detyrua të linte fushën me ambulancë.
Dinamovitët përfituan nga epërsia numerike dhe kaluan në avantazh me Malomon në minutën e 23-të dhe pas 6 minutash, Bregu dyfishoi shifrat.
Në pjesën e dytë u rikthye baraspesha numerike në fushë, kjo pasi Malomo u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 52-të për vonesa loje.
Buriç rihapi sfidën në minutën e 81-të, por pas tre minutash, ishte Mustapha që i dha goditjen e KO rrogozhinasve.
Në fundin e takimit, ishte Adjesa që shënoi golin e dytë për Egnatian (90’+3), që në fund shërbeu vetëm si statistikë.
Dinamo kështu mbetet fituese në fuqi e Kupës së Shqipërisë, duke e fituar për të dytin vit radhazi këtë trofe, i cili është i 15-ti për blutë e kryeqytetit.
