Komisioni i Disiplinës dhe Etikës ka publikuar vendimet e radhës, ku nuk mungojnë ndëshkimet për klubet e Superiores. Elbasani gjobitet për flakadanët, dy zyrtarë pezullohen nga katër ndeshje, ndërsa Dinamo dënohet për mosdaljen në intervistat pas ndeshjes. Dënimi më i rëndë është për KF Shirokën, zyrtari i së cilës pezullohet për 15 ndeshje pas sulmit ndaj zyrtarëve të takimit.
Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë FSHF-së ka dhënë një sërë vendimesh për shkeljet e konstatuara në aktivitetet futbollistike, me disa prej tyre që prekin drejtpërdrejt klubet e Abissnet Superiore. AF Elbasani është dënuar me 50 mijë lekë gjobë për sjelljen e gabuar të tifozëve, të cilët kanë ndezur flakadanë dhe mjete të tjera piroteknike. Ndërkohë, zyrtari i klubit, Klaudio Allkja, është pezulluar për katër ndeshje për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të takimit.
Me të njëjtin dënim është ndëshkuar edhe Omer Bunjaku, zyrtari i KF Tiranës, i cili do të mungojë në katër ndeshje për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Edhe FC Dinamo City është përfshirë në listën e ndëshkimeve. Klubi kryeqytetas është gjobitur me 50 mijë lekë për mosrespektimin e detyrimit për të nxjerrë zyrtarët në intervistat pas ndeshjes, në kundërshtim me rregulloren e aktivitetit.
Ndërkohë, një tjetër vendim i rëndë lidhet me KF Shirokën. Klubi është dënuar me 300 mijë lekë gjobë për lejimin e hyrjes së personave të paautorizuar në fushën e lojës dhe mosgarantimin e sigurisë së zyrtarëve të ndeshjes. Por ndëshkimi më i fortë është për zyrtarin Ergi Axhami, i cili është pezulluar për 15 ndeshje nga të gjitha veprimtaritë e organizuara nga FSHF, pas sulmit ndaj zyrtarëve të takimit. Atij i ndalohet gjithashtu hyrja në stadiume gjatë gjithë periudhës së pezullimit.
Në listën e vendimeve janë përfshirë edhe KF Këlcyra dhe KF Butrinti, të dënuara secila me 300 mijë lekë gjobë për hedhjen e sendeve në fushë nga spektatorët dhe rrezikimin e sigurisë së zyrtarëve të ndeshjes. Në të dyja rastet, klubet janë paralajmëruar për masa më të rënda nëse shkeljet përsëriten. Disiplina ka ndëshkuar gjithashtu disa lojtarë dhe zyrtarë të ekipeve të moshave me pezullime nga dy deri në katër ndeshje. Ndërsa FC Kinostudio U-14 dhe KF Tirana U-14 janë dënuar me nga 100 mijë lekë gjobë dhe humbjen në tavolinë 3-0, pas braktisjes së ndeshjeve përkatëse.
Një pezullim prej tre muajsh është dhënë edhe për zyrtarin e KF Tiranës U-14, Inker Kurti, për shkelje të parimeve të fair-play dhe tërheqjen e ekipit nga loja. Në përfundim, Komisioni ka rrëzuar edhe disa kërkesa të lojtarëve dhe zyrtarëve të klubeve të ndryshme, duke i cilësuar të pabazuara në Kodin e Disiplinës dhe Etikës.
Top Channel
