Futbollisti i Cagliarit, Daniel Maldini, është përfshirë në një aksident rrugor gjatë orëve të para të mëngjesit në Milano. Ngjarja ndodhi vetëm pak orë pas paraqitjes së tij vendimtare në fitoren 2-1 të skuadrës sardiane ndaj Atalantës.

Përplasja u regjistrua rreth orës 05:15 në Via Caracciolo, në pjesën veriore të Milanos, ku dy automjete u përplasën në rrethana që mbeten ende për t’u sqaruar.

Në dy makinat udhëtonin gjithsej gjashtë persona. Të gjithë raportohet se kanë pësuar lëndime të lehta dhe asnjëri prej tyre nuk rezulton në gjendje të rëndë.

Mes personave të përfshirë ishte edhe Maldini, i cili muajin e ardhshëm mbush 25 vjeç. Pas ndeshjes së luajtur në Bergamo, futbollisti kishte shkuar në Milano, ku disa orë më vonë ndodhi aksidenti.

Vetëm pak më herët, Maldini kishte qenë një nga protagonistët e Cagliarit në përballjen me Atalantën. Ai realizoi nga pika e penalltisë golin që rezultoi vendimtar për suksesin 2-1 të skuadrës së tij.

Pas njoftimit për aksidentin, në Via Caracciolo u dërguan tre ambulanca dhe një automjet mjekësor. Një prej të përfshirëve mori trajtim në vendngjarje, ndërsa pesë personat e tjerë u dërguan në struktura spitalore për ekzaminime të mëtejshme.

Daniel Maldini u transportua në Spitalin Fatebenefratelli. Kontrollet e para mjekësore kanë treguar se dëmtimet e tij janë të lehta dhe gjendja e futbollistit nuk paraqet shqetësim.

Ndërkohë, policia lokale e Milanos po punon për të rindërtuar dinamikën e përplasjes. Hetimet pritet të përcaktojnë se si ndodhi aksidenti dhe përgjegjësitë eventuale të personave të përfshirë.