Është konfirmuar organizimi i edicionit të dytë të turneut memorial “Lorenzo Çela”, një aktivitet sportiv në nder të të riut shqiptar që humbi jetën në një aksident tragjik në vitin 2024.

Turneu do të zhvillohet nga 2 deri më 31 maj në qendrën sportive “Maraviglia-Durighello” në Desenzano, Itali. Në këtë aktivitet do të marrin pjesë disa skuadra italiane, mes tyre Cittadella dhe Cremonese, si dhe ekipe nga Shqipëria.

Organizatorët bëjnë me dije se të ardhurat e mbledhura nga turneu do të shkojnë për qëllime bamirësie, konkretisht për spitalin Onkologjik në Tiranë dhe për një strukturë shëndetësore në Breshia.

Kujtojmë se pas ndarjes tragjike nga jeta të Lorenzo Çelës, familjarët e tij vendosën të dhuronin organet e djaloshit, duke bërë të mundur shpëtimin e gjashtë personave. Turneu synon të mbajë gjallë kujtimin e tij dhe të përcjellë një mesazh solidariteti përmes sportit.