Juventusi ka dalë fitues nga përballja me AZ Alkmaar në Europa League, por më shumë sesa rezultati, vëmendjen e mediave e ka tërhequr një episod i tensionuar në fundin e takimit. Trajneri Luciano Spalletti është kapur nga kamerat duke iu drejtuar me tone të ashpra mbrojtësit kolumbian Juan Cabal, pas disa gabimeve në repartin defensiv.
Bardhezinjtë siguruan një sukses të rëndësishëm në transfertën holandeze, falë golave të Teun Koopmeiners dhe Randal Kolo Muani, duke hedhur një hap të madh drejt fazës së 1/8-ave të kompeticionit.
Fitorja e italianëve i dha fund edhe një ecurie prej 17 ndeshjesh pa humbje në shtëpi të AZ Alkmaar në arenën evropiane.
Megjithatë, minutat e fundit rezultuan mjaft të tensionuara për skuadrën e Spallettit. Juventusi po administronte një avantazh prej dy golash, por një gabim i Lloyd Kelly në zonën e tij i dha mundësi kundërshtarit të ngushtonte diferencën.
Spalletti was furious with Cabal due to his positioning and letting the attackers get behind him “I’ll punch you if you do that again” (@Gazzetta_it ) https://t.co/mNCbw7DyKj
— 🎥 The AJC 🏳️🏴 (@The_AJC_) November 5, 2026
Situata u ndërlikua edhe më shumë kur holandezët dërguan sërish topin në rrjetë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Pikërisht në këto momente, Spalletti nuk arriti ta fshehte zemërimin. Trajneri italian iu afrua Juan Cabal dhe e qortoi ashpër për mënyrën se si ishte pozicionuar në fushë.
Sipas interpretimit të lëvizjes së buzëve të trajnerit, të publikuar nga mediat sportive, ai dyshohet t’i ketë thënë mbrojtësit: “Do të të godas me grusht, e kupton? E kupton?”
Pamjet e këtij momenti u përhapën në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime për sjelljen e teknikut italian ndaj futbollistit të tij.
Cabal dëgjoi qortimin dhe më pas u rikthye në pozicionin e tij, ndërsa Juventusi arriti ta ruante avantazhin deri në përfundim të takimit.
Në konferencën pas ndeshjes, Spalletti nuk komentoi drejtpërdrejt episodin me mbrojtësin kolumbian, por shprehu pakënaqësinë për mënyrën se si skuadra e tij reagoi pasi pësoi gol.
Tekniku italian kritikoi mungesën e iniciativës dhe hezitimin e futbollistëve për të marrë përgjegjësi në momentet vendimtare.
Sipas tij, problemi më i madh nuk qëndron te gabimet individuale, por te pasiguria dhe mungesa e vendimmarrjes në fushë.
Spalletti theksoi se një futbollist që merr një vendim të gabuar është më i dobishëm për skuadrën sesa ai që heziton dhe nuk ndërmerr asnjë veprim.
Pavarësisht tensioneve në fundin e përballjes, Juventusi u largua nga Holanda me një rezultat pozitiv, që e afron ndjeshëm me kualifikimin në raundin tjetër të Europa League.
