Teuta dhe Vllaznia kanë ndarë pikët në barazimin 1-1 në Durrës, në një ndeshje të ethshme që është mbyllur në mënyrë dramatike pas 13 minutash shtesë.
Shkodranët dominuan pjesën e parë të ndeshjes, duke kërkuar me ngulm golin teksa shpërdoruan raste të njëpasnjëshme derisa gjetën me anë të Malës golin e avantazhit. Pastaj skuadra shkodrane u tërhoq pak në lojën e saj, duke qenë më e kujdesshme, edhe pse thumbonte me kundërsulme të shpejta.
Pjesa e dytë kishte pak futboll, për shkak të faulleve të shumta dhe ndalesave të vazhdueshme që e kthyen këtë më shumë në një luftë fizike. Kartoni i kuq i Gurishtës në minuta e fundit u dha një dorë vendasve që ishin shfaqur rrallëherë rrezikshëm para portës shkodrane dhe ata ia dolën që të gjenin në minutën e 6-të shtesë golin me anë të Beshirajt.
Kjo i vendosi vulën ndeshjes, me një barazim që u shkon më shumë për shtat vendasve se sa shkodranëve të cilëve u ikën mundësia për të marrë pikët dhe mbajtur hapin e Elbasanit në kreun e renditjes.
TEUTA-VLLAZNIA 1-1
90’+6′ Beshiraj / 24′ Mala
Barazim 0-0 mes Dinamos dhe Bylis, në takimin e luajtur në “Selman Stërmasi”.
Rasti i parë serioz i takon ballshiotëve, por Malomo nuk tregohet i saktë, duke gabuar para portierit. Në minutat e fundit të pjesës së parë, te dinamovitët provoi Dejvi Bregu, por pa rezultat.
23 minuta nga fundi i ndeshjes, ekipi i Josës mbeti me një lojtar më pak, pasi për një goditje me bërryl ndaj Ditës, u ndëshkua me karton të kuq Peralta. Në fund të dyja skuadrat morën nga një pikë, pavarësisht rasteve.
Në ndeshjen tjetër, Vora mundi 1-0 Flamurtarin. Goli i vetëm u shënua në të 12-tën minutë. Vora vijon me hap kreu, teksa thellon krizën e vlonjatëve në startin e kampionatit. Dje Egnatia mundi 2-0 Tiranën, ndërsa Elbasani fitoi ndaj 0-1 Partizanit.