Dionis AvdijajSulmuesi 


Huazimi te Shturm Grac mund të përfundojë në verë


Donis Avdijaj – Sulmuesi ka luajtur 21 ndeshje, duke shënuar 7 gola me Shturm Grac


Drejtori Sportiv i Shalkes, Gerhard Zuber, i ka thurur elozhe Donis Avdijajt për paraqitjet e tij me Shturm Grac. Klubi gjerman e ka dhënë lojtarin huazim në kampionatin austriak me bindjen se ai do të rritet atje dhe duket se gjërat kanë shkuar siç shpresohej. Në një intervistë të dhënë për mediat austriake, Zuber ka treguar se e ka monitoruar vazhdimisht lojtarin dhe se raportimet e tij për Avdijajn kanë qenë pozitive. “E kam parë për herë të fundit në veprim ndaj Grodig. Kur e shoh në stadium, ai shënon gjithmonë”, ishte batuta e 40-vjeçarit. “Ai është një lojtar i veçantë, me një nuhatje të pabesueshme para porte. Statistikat e tij te të rinjtë ishin gjithmonë të jashtëzakonshme. Ne duam më të mirën për të rinjtë tanë, ndaj menduam se aktivizimi ishte i rëndësishëm. Kjo është arsyeja pse u vendos për huazimin e tij, sepse ishte i rëndësishëm për zhvillimin si futbollist. Ky shembull mund të ndiqet edhe në të ardhmen nga klubi. Ndërsa në verë, do të ulemi bashkë me Donisin për të vlerësuar me qetësi situatën”, deklaroi ai.