Vlerëson punën e De Biazit dhe pohon se pas 2 muajsh do të flitet me qartësi për stadiumin e ri
“Nëse do të kishim pak fat, mund të kishim fituar ndaj Kamerunit. Kështu është shprehur dje presidenti i FSHF-së, Armand Duka, menjëherë sapo ka shkelur në aeroportin “Nënë Tereza”. Numri një i “qeverisë” së futbollit shqiptar e ka konsideruar eksperiencë pozitive paraqitjen e Kombëtares në miqësoren ndaj “luanëve të Afrikës”, ka vlerësuar punën 1-vjeçare të trajnerit De Biazi dhe ka zbardhur bisedën e takimit me Mishel Platini.
Zoti president, a jeni i kënaqur nga Kombëtarja ndaj Kamerunit?
Sipas meje është një eksperiencë pozitive, që i shërben skuadrës dhe trajnerit për të bërë ato eksperimente që mund të bëhen në një ndeshje miqësore, duke pasur parasysh që mund të lejohet gabimi në rezultat. Besoj se ishte një miqësore pozitive, që duhet t’i shërbejë skuadrës për ndeshjet kualifikuese. Në miqësore nuk është objektivi kryesor rezultati, fiton apo humbet, megjithatë mirë do të ishte të kishim një rezultat pozitiv, por nuk kishim fat.
1 vit me De Biazin në krye të Shqipërisë. Cili do të ishte vlerësimi juaj për punën e bërë në këtë periudhë?
Realisht De Biazi dhe i gjithë stafi i tij është i përkushtuar për të bërë mirë detyrën. Trajneri është goxha i mobilizuar, por jo vetëm kaq, edhe teknikisht besoj se i ka dhënë shumë skuadrës kombëtare, e ka ndihmuar për të bërë hapa përpara dhe mendoj se deri tani ka bërë mirë për një lloj rinovimi të ekipit apo është në proces rinovimi pa dhembje në rezultat.
U aktivizuan disa lojtarë të rinj. Cila është përshtypja juaj?
Realisht do të isha i kënaqur, nëse Vajushi do të shënonte ndaj Kamerunit, më tepër që ai të ecë përpara sesa për rezultatin pozitiv që do të na jepte. Në skuadër ka shumë lojtarë të rinj dhe të gjithë po kontribuojnë maksimalisht dhe kryesorja është që e vlerësojnë si duhet Kombëtaren dhe japin më të mirën e tyre.
Të mërkurën u takuat dhe me presidentin e UEFA-s, Mishel Platini. Mund të na shpjegoni diçka më tepër?
Duke qenë se ndeshja ishte në Gjenevë, presidenti i UEFA-s na ftoi për një drekë në ambientet e selisë së tij bashkë me sekretarin e Përgjithshëm dhe gjatë këtij takimi u diskutua problematika që ne kemi sot: rikonstruktimi i stadiumit kombëtar. Tematika kryesore e këtij takimi ishte mundësia e mbështetjes financiare përveç një fondi që tashmë UEFA e ka akorduar për stadiumin, që është një shumë prej 4 milionë eurosh. Por presim një mbështetje financiare të mëtejshme për ta realizuar projektin. Nga autoritetet e UEFA-s na është garantuar mbështetja financiare në mënyra të ndryshme.
Sa mund të jetë fondi shtesë që do të akordojë UEFA?
Ne jemi në një proces të ndërtimit të stadiumit, ku siç dihet ka përfunduar studimi i fizibilitetit dhe këtë javë do të nënshkruajmë kontratën me një grup konsulentësh ndërkombëtarë, që do të përcaktojë skenarin përfundimtar të ndërtimit të stadiumit. Shifra që kërkohet për t’u financuar nga Federata në bashkëpunim me FIFA-n dhe UEFA-n është 10 milionë euro dhe ne po tentojmë për ta garantuar këtë. Presidenti i UEFA-s na ka garantuar që nuk do të na lërë në baltë.
A mund të na thoni se kur mund të nisë ndërtimi i stadiumit?
Ka dy vjet që nga fillimi i projektit, por realisht stadiumi ka kaluar nën administrimin e Federatës rreth një javë më parë dhe kjo mund të quhet kohë efektive. Ka proceset e veta të domosdoshme, sepse kjo nuk është një skemë ndërtimi me një buxhet të financuar nga shteti apo nga FSHF-ja, por ne po kërkojmë një skemë financimi të realizimit të projektit nëpërmjet investitorëve ose financuesve, të cilët duan procedurat e veta dhe kohën e vet. Besoj se në një hark kohor 2-mujor ne do të kemi të sakta detajet e këtij projekti, përgjigjet e sakta për çdo hap që do të hedhim më vonë.