Trupat e futbollistit të njohur portugez Diogo Jota dhe të vëllait të tij André mbërritën mbrëmjen e djeshme në kishën e Gondomarit, ku u pritën me një emocion të thellë nga qindra qytetarë. Duartrokitjet dhe lotët e të pranishmëve shoqëruan arkëmortet e dy vëllezërve që humbën jetën tragjikisht në një aksident të rëndë automobilistik pranë kufirit spanjollo-portugez.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të së enjtes, kur Jota dhe André po udhëtonin me një automjet tip Lamborghini Huracan në autostradën A-52, në zonën e Cernadillas. Sipas raportimeve paraprake, një gomë e makinës dyshohet të ketë shpërthyer gjatë një parakalimi, çka ka sjellë daljen nga rruga të automjetit, përmbysjen dhe më pas shpërthimin në flakë. Zjarri përfshiu edhe një pjesë të vegjetacionit përreth.

Ceremonia mortore u mbajt këtë mëngjes në Capela de Ressurreição, rreth orës 08:00, vetëm pak kilometra nga qyteti i lindjes së Jotës, Porto. Varrimi do të zhvillohet ditën e shtunë në orën 10:00 në kishën katolike Igreja Matriz, pranë kapelës, sipas njoftimit të priftit Jose Manuel Macedo. “Jemi këtu për të ndarë dhimbjen, por edhe për të mbajtur gjallë shpresën e krishterë. Kujtojmë jetën e tyre me dinjitet dhe dashuri,” u shpreh Macedo në një deklaratë për CNN.

Trupat e dy vëllezërve u transportuan mbrëmjen e së enjtes në një agjenci funerale në Puebla de Sanabria, qyteti më i afërt spanjoll me vendin e ngjarjes. Agjenti i njohur Jorge Mendes, i cili e shoqëroi nënën e Diogos në funeral, u shpreh i tronditur: “E pamundur të besohet. Kemi humbur dy njerëz të mëdhenj. Diogo ishte shembull si njeri, si bashkëshort, si bir, si profesionist.”

Vetëm pak ditë më parë, Diogo Jota kishte kurorëzuar dashurinë e tij shumëvjeçare me Rute Cardoso në një ceremoni të ngrohtë në Porto. Çifti kishte ndarë foto dhe momente të lumtura në rrjetet sociale, fare pak kohë para tragjedisë.

Sipas mediave lokale, Jota dhe André po udhëtonin drejt Santander-it për të kapur një traget me destinacion Britaninë, pasi mjekët i kishin ndaluar Jotës të fluturonte me avion për shkak të një ndërhyrjeje të fundit në mushkëri.

Policia spanjolle nuk ka sqaruar ende se kush nga dy vëllezërit ishte në timon në momentin e aksidentit, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.