Hamdi Salihi udhëhoqi Wiener Neustadt drejt fitores së shtatë në Ligën e Parë të Austrisë, duke ruajtur diferencën prej katër pikësh me Hartbergun e vendit të dytë. Sulmuesi shkodran realizoi të dy golat e sfidës ndaj Liefering,  që nuk mundi të bënte asgjë veçse të dorëzohej përfundimisht me rezultatin 2-0.


Në  minutën e 10-të ish-futbollisti i kombëtares shqiptare përfitoi nga një gabim i mbrojtjes duke goditur saktë thuasje nga vija e 16-metrave, me topin që përfundoi në trekëndësh.


Po në pjesën e parë, pikërisht në minutën e 23-të, Salihi i pengua në mënyrë të parregullt në zonë, duke fituar një 11-metërsh që e shndërroi vetë në gol.


Ky rezultat i arritur në gjysmën e pjesës së parë mbeti në fuqi deri në fund të takimit. Për Salihin ky ishte goli i tetë në nëntë ndeshje të Ligës së parë të Austrisë si dhe rasti i tretë që 33-vjeçari realizon 2-golësh.


9 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)