Tirana


Për mosmarrëveshjen, trajneri bardheblu ia lë topin në derë klubit bardheblu


Hulian Rubio Sançez, të dielën në mbrëmje është kurorëzuar si trajneri i vetëm i huaj që ka mundur të fitojë tre trofe të kampionatit shqiptar, në harkun kohor të një viti. Por megjithatë, rekordi duket se nuk mjafton për të qartësuar të ardhmen e trajnerit spanjoll të Tiranës, i cili nuk e ka rinovuar kontratën e ofruar nga klubi që prej më shumë se sa një muaji. Rubio e ka nisur një vit më parë me një trofe të fituar pikërisht ndaj Skënderbeut dhe për rastësi ishte Superkupa e Shqipërisë 2012. Më pas, në sezonin e fundit, nuk mundi të triumfojë në kampionat, por i rrëmbeu nga duart Skënderbeut Kupën e Shqipërisë. Bashkë me Superkupën e së dielës, ai koleksionoi edhe trofeun e tretë në krye të bardhebluve, të cilët tashmë e kanë shprehur dëshirën për të vazhduar marrëdhënien me teknikun spanjoll. Por duket se kushtet e rinovimit të kontratës nuk janë të pëlqyeshme nga Rubio. Sikurse bëhet e ditur korridoreve, klubi bardheblu i ka ofruar Rubios një kontratë dyvjeçare me 70 mijë euro në sezon, ndërsa spanjolli kërkon të paktën 130 mijë euro rrogë vjetore. Klubi ka pranuar t’i japë 130 mijë euro, por vetëm nëse Rubio arrin t’u japë bardhebluve titullin e 25-të. Por trajneri e ka rikonfirmuar edhe pas Superkupës se nuk beson te niveli i pastërtisë së kampionatit shqiptar, duke aluduar për aleanca nën rrogoz. “Unë kam dhënë fjalën dhe nuk kam asnjë problem. Mendoj se ky është problemi i klubit. Pas gjithë polemikave që kemi pasur në këtë periudhë, gjithnjë kam treguar se jam një njeri i ndershëm. Ju konfirmoj se jam i gatshëm të vazhdoj punën”, ka theksuar trajneri bardheblu pas fitimit të Superkupës.