Ish-kryetari shqiptar i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut (FFM), Muamed Sejdini është arrestuar në orët e para të mëngjesit të sotëm, pasi akuzohet për keqpërdorim të financave të ardhura nga UEFA në vlerë prej rreth 700 mijë euro.
Sipas informacioneve nga mediat nga Maqedonia e Veriut, fondet dyshohet se janë siguruar nga UEFA dhe kanë qenë të destinuara për zhvillimin e futbollit. Organet e hetuesisë po shqyrtojnë mënyrën e menaxhimit dhe shfrytëzimit të tyre. Dyshimet lidhen me fonde të destinuara për ndërtimin e një tribune futbolli në stadiumin e Ohrit, për të cilat ekziston indicia se shuma mund të jenë shpenzuar në mënyrë të kundërligjshme.
Jozyrtarisht mësohet se drejtuesit e rinj të FFM-së, pas marrjes së detyrës, kanë evidentuar parregullsi dhe dyshime për keqpërdorime, duke dorëzuar kallëzime pranë institucioneve kompetente. Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut njoftoi më 6 shkurt të këtij viti se Komiteti i saj Disiplinor i kishte vënë një gjobë ish-presidentit Sejdini në lidhje me një pagesë paraprake në shumën prej afërsisht 700 mijë eurosh një kompanie kontraktuese përgjegjëse për ndërtimin e një tribune në stadiumin “Biljanini Izvori” të Ohrit.
Sejdini, siç u informua në atë kohë nga FFM, iu dha një masë disiplinore ndalimi për të mbajtur një detyrë për një periudhë dy vjeçare si delegat në Asamblenë e FFM-së, për shkak të aktit të mashtrimit dhe mashtrimit të një organi të Organizatës së Futbollit, në përputhje me Nenin 84 të Rregullores Disiplinore.
Sejdini e mori drejtimin e FFM-së në vitin 2018. Me të, Maqedonia e Veriut arriti suksesin më të madh në histori duke u kualifikuar në Euro 2020. Ai u largua nga posti në vitin 2024, pasi i përfundoi mandati
