Klubi i Parmës në Serinë A ka vendosur për një zgjedhje të pazakontë për pankinën e cila mbeti bosh pas largimit të Christian Chivu drejt Interit. Mediat italiane bëjnë të ditur se pronarët amerikanë kanë vendosur një “bast” të mirëfillte duke i besuar ekipin spanjollit Carlos Cuesta.

Bëhet fjalë për një 29-vjeçar, i cili nuk ka qenë kurrë futbollist, por vlerësohet si nga nga ata emra që do të bëjnë rrugë në pankinë në karrierën e trajnerit. Ai ka qenë krahu i djathtë i Mikel Artetës dhe në Angli e vlerësojnë shumë për aftësitë që ka, të cilat tashëm do t’i vërë në zbatim te Parma ku do të firmosë për tre vitet e ardhshme.

Karriera e Cuesta nis në moshën 18-vjeçare, kur u bë pjesë e stafit të të rinjve të Atletico Madrid. Më pas ai u bë pjesë e stafit të U17 të Juventus, para se të zhvendosej drejt Londrës ku prej 5 vitesh është asistent i Artetas.

AI përshkruhet si një ekspert i taktikës, flet 6 gjuhë dhe në vitet te Arsenali ka spikatur si një analizues i mirë i taktikës duke përgatitur individualisht lojtarë të ndryshëm për ndeshjet e veçanta. Tani, do të ketë shansin të tregojë se çfarë di të bëjë si trajner i parë në një skuadër të madhe, në një prej kampionateve më të vështira në botë.