Një lajm surprizues vjen nga Shtetet e Bashkuara, aty ku vëmendja e botës është përqendruar te Botërori i futbollit. Legjenda braziliane Ronaldinho pritet të rikthehet në fushën e lojës në moshën 46-vjeçare, duke nisur një aventurë të re në Serie C me klubin italian Ravenna FC.

Sipas raportimeve, prezantimi zyrtar do të bëhet më 23 qershor në Miami, në një event ku do të zbulohen edhe fanellat e reja të klubit italian.

“Ngjyra të reja, e njëjta buzëqeshje. Mezi pres të rikthehem të vallëzoj sërish me topin dhe të shkruaj një faqe të re historie së bashku me Ignazio dhe gjithë familjen Ciprian. Futbolli ka qenë gjithmonë burim gëzimi për mua dhe dua të përcjell të njëjtin shpirt te Ravenna”, mësohet të ketë deklaruar Ronaldinho.

Pas një sezoni ku Ravenna iu afrua ngjitjes në Serie B, klubi synon të nisë një epokë të re me afrimin e një prej emrave më ikonë të futbollit botëror.

Braziliani pritet t’i bashkohet skuadrës që në fazën përgatitore dhe do të vihet menjëherë në dispozicion të stafit teknik, në një rikthim që konsiderohet i pabesueshëm për futbollin italian dhe jo vetëm.