Bota e sportit është në zi pas lajmit tronditës se kampioni i botës në boks Ricky Hatton është ndarë nga jeta në moshën 46-vjeçare.

I njohur me nofkën “The Hitman”, Hatton u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Mançester mëngjesin e sotëm. Policia konfirmoi ngjarjen, duke deklaruar se vdekja nuk po trajtohet si e dyshimtë.

“Mund të konfirmojmë se kemi gjetur një trup në një adresë në Bowlacre Road në Gee Cross në orën 06:45 të mëngjesit të sotëm, të dielën, 14 shtator. Vdekja nuk po trajtohet si e dyshimtë,”– thuhet në deklaratën e policisë.

Karriera e Hatton zgjati nga 1997 deri në 2012, duke përfshirë 45 fitore e 2 humbje, po ashtu duke përfshinte përballje me emra si Kostya Tszyu, Paulie Malignaggi, Floyd Mayweather Jr. dhe Manny Pacquiao.

Ai ishte një ikonë e klasës punëtore britanik, i lindur dhe rritur në Mançester, që u kthye në një figurë të dashur për publikun jo vetëm për sukseset në ring, por edhe për shpirtin e tij sportiv dhe jetën e sinqertë jashtë ringut.

Në kulmin e famës, Ricky hynte në ring me këngën “Blue Moon”, simbolin e Manchester City-t, dhe kishte pranë yje si Noel dhe Liam Gallagher, David Beckham, Tom Jones, madje edhe Brad Pitt dhe Angelina Jolie, që e vizituan në dhomën e zhveshjes pas humbjes ndaj Mayweather në Las Vegas më 2007.

Pas tërheqjes nga boksi, Hatton u përball me depresion të thellë, alkoolizëm dhe abuzim me substanca, që e çuan deri në prag të vetëvrasjes. Ai pranoi publikisht betejat e tij me shëndetin mendor dhe u trajtua në klinikën The Priory në vitin 2010.

Pavarësisht vështirësive, ai u rikthye në ring në vitin 2022 për një ndeshje ekspozuese me legjendën meksikane Marco Antonio Barrera, që shënoi një kthesë pozitive në jetën e tij.

Në intervistat e fundit, ai fliste me krenari për rikuperimin e tij: “Të gjithë më thoshin se është frymëzuese të më shohin sërish në formë, pas gjithçkaje që kam kaluar. Kjo më jep forcë të vazhdoj.”

Vetëm pak javë më parë, Hatton kishte shpallur rikthimin e tij në ring për një tjetër ndeshje ekspozuese në Dubai, më 2 dhjetor, përballë boksierit Eisa Aldah.

Hatton ishte baba i tre fëmijëve dhe së fundmi kishte qenë në një lidhje me aktoren britanike Claire Sweeney, me të cilën ishte shfaqur në spektaklin Dancing On Ice në vitin 2024.