Një ngjarje e rëndë ka shënjuar këtë fundjavë në futbollin italian. Raportohet se një tifoz ka humbur ndjenjat teksa po shkonte në stadiumin “San Siro” të Milanos, për të parë ndeshjen mes Milanit dhe Veronës. Tifozi pësoi një atak kardiak ndërsa ngjitej shkallëve për në katin e tretë të stadiumit ‘San Siro’. Ai është aktualisht në gjendje kritike. Një ambulancë mbërriti menjëherë dhe burri u stabilizua përpara se të dërgohej në spital.
Disa episode të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë në “San Siro”, duke shkaktuar frikë. Vitin e kaluar, gjatë ndeshjes së Interit kundër Udinezes, një tifoz u sëmur dhe loja u ndërpre për gjashtë minuta. Ishte 19 dhjetori 2024. Edhe atëherë, tifozi u stabilizua përpara se të merrej me ambulancë.
Në janar 2010, një tifoz vdiq nga një sëmundje e papritur gjatë derbit Milan – Inter. Ai u rrëzua në pjesën e parë dhe u dërgua me urgjencë në spital, por në fund, çdo kujdes dhe trajtim mjekësor rezultoi i kotë.




