Një ngjarje e rëndë është raportuar në stadiumin “San Siro” gjatë ndeshjes Itali–Norvegji, ku një studente norvegjeze 24-vjeçare ka denoncuar se është ngacmuar seksualisht brenda ambienteve të tualeteve.

Sipas deklarimeve të saj për policinë, vajza – e cila studion në një universitet në Milano – ishte në stadium së bashku me disa bashkëkombës për të ndjekur ndeshjen. Duke mos u ndjerë mirë, ajo është drejtuar drejt tualeteve, e shoqëruar nga një mike që mbeti jashtë. Pikërisht aty, sipas saj, është afruar dhe e ka prekur në mënyrë të papërshtatshme një 25-vjeçar me origjinë egjiptiane, i punësuar si pastrues në stadium.

E tronditur, studentja më vonë ka arritur ta identifikojë personin e dyshuar dhe e ka sinjalizuar tek një steward, i cili e ka ndaluar dhe e ka dërguar te posti i policisë brenda impiantit sportiv.

I riu egjiptian është vënë nën hetim në gjendje të lirë për akuzën e dhunës seksuale. Para oficerëve, ai ka mohuar çdo akuzë, duke thënë se iu afrua vajzës vetëm sepse mendoi se ajo nuk ndjehej mirë.

Policia po kërkon dëshmitarë të tjerë që mund të ndihmojnë në sqarimin e plotë të ngjarjes.