Një lajm i trishtë është bërë publik ditën e sotme! Ish-lojtari i Lushnjës dhe Egnatias, Xhejms Ajinde, është ndarë nga jeta në moshën 24-vjeçare, pasi nuk ka arritur të fitojë betejën me një sëmundje të pashërueshme.
Sulmuesi nigerian vuante nga kanceri në veshka teksa e humbi ndeshjen më të rëndësishme të jetës së tij. Klubi lushnjar ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale për këtë ngjarje tragjike. Kujtojmë që Xhejms arriti të fitonte edhe titullin kampion me Egnatian në Superiore.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish lojtarit tonë, James Ayinde.
James veshi me krenari fanellën e KF Lushnja, duke dhënë kontributin e tij në fushën e lojës dhe duke lënë kujtime të paharruara te tifozët dhe gjithë komuniteti sportiv lushnjar. Ai do të kujtohet gjithmonë për përkushtimin, pasionin dhe shpirtin luftarak që tregoi në çdo ndeshje. Sot, klubi ynë humbi jo vetëm një ish-futbollist, por një njeri të mirë që ishte pjesë e familjes sonë.
KF Lushnja i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën. U prehsh në paqe, James Ayinde!”, shkruhet në njoftimin e klubit.


