Trajneri brazilian Silvinjo i dha këtë të martë fund zyrtarisht aventurës së tij në stolin e Kombëtares shqiptare, duke mbyllur një bashkëpunim që zgjati rreth tre vite e gjysmë. Tekniku ishte i pranishëm në Tiranë, ku zhvilloi edhe takimin e fundit me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, me të dyja palët që publikisht e përshkruan ndarjen si një vendim të marrë në mirëkuptim të plotë.
Megjithatë, mediat braziliane raportojnë një version ndryshe mbi largimin e tij nga drejtimi i kuqezinjve. Sipas “Gazeta Esportiva”, nuk ka qenë vetë Silvinjo ai që vendosi të largohej, por Federata Shqiptare e Futbollit që zgjodhi të mos i ofrojë rinovimin e kontratës.
“Silvinjo largohet nga drejtimi i Kombëtares pasi federata vendosi të mos zgjasë marrëveshjen me të. Vendimi u mor nga presidenti Armand Duka dhe arsyeja kryesore lidhet me dështimin për të siguruar kualifikimin në Kupën e Botës 2026”, shkruan media braziliane.
Pas përfundimit të eksperiencës me Shqipërinë, që konsiderohet edhe periudha më e suksesshme e karrierës së tij si trajner, Silvinjo pritet të nisë shumë shpejt një kapitull të ri në pankinë, ndërsa raportohet se ai dhe stafi i tij po shqyrtojnë tashmë oferta dhe mundësi të tjera.
