Shqipëria luan mbrëmjen e 13 nëntorit ‘finalen’ me Andorrën, për një vend në play off-in e Botërorit 2026.
Tekniku i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, u shpreh se Andorra është një kundërshtar i fortë dhe këtë e ka treguar me Serbinë dhe Anglinë. Ai shtoi gjithashtu se nuk është i shqetësuar për lojtarët që nuk kanë minutat me klubet e tyre, por i beson lojtarëve që ka grumbulluar.
“Varet se si të bie data e ndeshjes. Nuk na ka rënë të punojmë shumë në fushë, por jemi marrë më shumë me video. I shoh lojtarët shumë të motivuar. Kemi ende një stërvitje të mbetur që është dita e sotme. Lojtarët e dinë që duhet të japin maksimumin në fushë. Duhet të përqendrohemi që të marrim tre pikë shumë të vështira. I mori barazim në pjesën e parë Serbisë, Anglia mezi e mundi 0-1. Ka një trajner që i njeh lojtarët e tij dhe i merr maksimumin. Të tjerët mund të thonë që është një kundërshtar më i lehtë në letër, por është një përballje shumë e vështirë.
Nesër deri në drekë mund të kemi vendosur për formacionin. Më shumë se moduli, fokusohem te karakteristikat e lojtarit. Këtu jemi fokusuar. Mund të ketë disa ndryshime në seanca të ndryshme të ekipit.
Do fusim lojtarë që mund të krijojnë hapësira. E kemi studiuar Andorrën, por ka një modul ndryshe nga Serbia. Është një ekip që nuk pëson shumë gola. Lojtarët e dinë. Ky është elementi më i rëndësishëm. Do fusim lojtarët që krijojnë hapësira për të tjerët. E kam shumë të qartë lojtarët që mund të futen dhe të shënojnë. Nuk jam i shqetësuar për lojtarët që nuk luajnë me klubet e tyre. Kemi 4-5 lojtarë që shënojnë. Në këto 3 vite rrugëtim kemi disa lojtarë që kanë shënuar me Kombëtaren, kështu që e kam të qartë pak a shumë kë do aktivizoj”, tha Sylvinho.


