Trajneri i Kombëtares së Republikës Çeke, Jaroslav Silhavy, ka dhënë dorëheqjen menjëherë pas kualifikimit në Europian.

Mbrëmjen e djeshme kombëtarja çeke triumfoi me rezultatin 3-0 ndaj Moldavisë, duke siguruar një “biletë” për në Gjermani, teksa Silhavy njoftoi vendimin surprizues, që i la të gjithë të shtangur. 

“Edhe pse jemi të lumtur tani, e kisha vendosur tashmë para ndeshjes, që nuk do të vazhdoja më”, tha ish-mbrojtësi 62-vjeçar për televizionin publik çek në një intervistë menjëherë pas ndeshjes.

Silhavy mori drejtimin në shtator të vitit 2018 dhe udhëhoqi Republikën Çeke në çerekfinale të Euro 2020.

62-vjeçari mbikëqyri 26 fitore gjatë periudhës së tij prej 56 ndeshjesh në krye, duke barazuar 10 dhe duke humbur 20. Ai i udhëhoqi ata në vendin e dytë në Grupin E gjatë fushatës së tyre kualifikuese për Euro 2024.

Silhavy, i cili udhëhoqi skuadrën në çerekfinalen e Europianit së fundit përpara se të siguronte një vend në turneun e vitit të ardhshëm në Gjermani, u kritikua për paraqitjen e dobët të ekipit në Grupin “E”, ku ata përfunduan në vendin e dytë pas Shqipërisë, pasi fituan vetëm katër ndeshje nga tetë.

Skuadra çeke u godit gjithashtu nga një skandal më pak se 48 orë para ndeshjes vendimtare kundër Moldavisë, kur tre futbollistë, Vladimir Cufal (Uest Ham), Jakub Brabec (Aris Selanik) dhe Jan Kuchta (Sparta Pragë) – u përjashtuan nga kombëtarja, pasi ka kaluar natën nga e shtuna në të diel në një klub nate.