Sfida e të enjtes në ‘Air Albania’ mes Egnatias dhe Midtjylland është në rrezik serioz. Dueli pritej me padurim në kampin rrogozhinas, që janë edhe kampionët në fuqi të Shqipërisë, pasi do të debutonte në Kupat e Evropës, por situata në Tiranë për shkak të protestave mund të sjellë anulimin e saj.
Pasditen e së mërkurës në Tiranë UEFA ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme ku ka kërkuar me ngulm që ndeshja të luhet sipas programit, të enjten në orën 18:45. Mirëpo deri më tani Egnatia nuk ka marrë siguri nga policia.
Pista për ta luajtur ndeshjen në një tjetër stadium të Shqipërisë është hedhur kategorisht poshtë nga UEFA. Për rrjedhojë UEFA ka lënë afat që Egnatia të kthejë përgjigjje deri në mëngjesin e së enjtes. Në rast se policia nuk merr përsipër organizimin e ndeshjes ajo do të anulohet dhe për rrjedhojë rrogozhinasit do të humbasin ndeshjen e parë të Conference League në tavolinë.
Gjithsesi klubi i Egnatias për momentin siguron se ndeshja do të zhvillohet.
“Për shkak të zhvillimeve të fundit dhe situatës me protestat në Tiranë, Kf Egnatia nuk ka zhvilluar stërvitjen, e cila ishte programuar në orën 18:30. Fatmirësisht zhvillimi i ndeshjes nuk paraqet rrezik dhe do të vazhdojmë sipas programit,”-shkruan klubi rrogozhinas.
Përtej reagimit të Egnatias ndeshja është në rrezik të madh. Vetëm të enjten në mëngjes do të mësohet përfundimisht se çfarë do të ndodhë.
