Skuadrat në “emigracion”, të ndara mes sasisë dhe cilësisë në planifikimin e ndeshjeve
Ermal Kuka
Zhvillimi i fazës përgatitore jashtë Shqipërisë nuk është vetëm një mundësi që ekipet shqiptare të stërviten si profesionistët për pjesën e dytë të sezonit, por edhe për të gjetur miqësore të shumta me kundërshtarë të njohur e të panjohur, për sa kohë që nuk janë “emrat e zakonshëm” të kampionatit shqiptar. Skuadrat shqiptare të cilat kanë mundësitë financiare, kanë preferuar të largohen nga Shqipëria. Skënderbeu gjendet në Portugali, Laçi në Spanjë, ndërsa katër ekipe të tjera të Superiores aktualisht janë në Turqi: Teuta, Kukësi, Partizani dhe Flamurtari. Gjithsesi, edhe këtu duket një ndarje e mirëfilltë mes skuadrave. Disa kanë preferuar të zhvillojnë sa më shumë ndeshje miqësore pa parë emrat që kanë përballë, ndërsa të tjerat kanë zgjedhur cilësinë e kundërshtarëve për të provuar realisht forcën e tyre në krahasim me ta.
Skuadra që ka shfrytëzuar me intensitet më të lartë përgatitjet turke është Partizani. Ekipi i drejtuar nga Hasan Lika ka zhvilluar brenda 6 ditëve plot katër ndeshje miqësore, për të provuar lojtarët e rinj që ka në dispozicion. Sigurisht, në aspektin sportiv, lodhja e shumë ndeshjeve në një periudhë të shkurtër ka bërë që rendimenti i ekipit të bjerë ndeshëm, siç e vërtetoi më së miri humbja e djeshme me rezultatin 4-0 ndaj ekipit modest gjerman të Holshtajn Kiel. Vetë fakti se të kuqtë kanë luajtur një ditë pas miqësores ndaj Karslruhes së Bundesligës 2, të shtyn të mendosh se kjo mbingarkesë takimesh më shumë po dëmton ekipin, se po ndihmon përgatitjen për fazën e dytë të sezonit.
Ndërkohë, Skënderbeu ka bërë një planifikim më të rregullt të fazës përgatitore që po zhvillon në Portugali. Kryesuesit e Superiores kanë zhvilluar atje dy ndeshje, ku fillimisht kanë fituar 3-0 ndaj vendasve të F.C Ferreiras, ndërsa dje janë mundur me rezultatin 2-0 nga zviceranët e Jang Bois.
Cilësi para sasisë ka zgjedhur edhe Teuta, e cila ka luajtur deri tani dy ndeshje ndaj ekipeve të njohura turke, Gençlerbirligi dhe Kaizerispor. Nëse takimi i parë i ekipit të Sorrentinos ishte një humbje e pastër 4-0, në ditët ndërmjetëse skuadra durrsake ka arritur të korrigjojë disi lojën dhe dje, ka barazuar 0-0 në ndeshjen e dytë ndaj Kaizerispor.
Po aq cilësor në përzgjedhje ka qenë edhe ekipi i Laçit, që në Spanjë ka luajtur fillimisht ndaj Fraiburgut, duke u mundur nga ekipi gjerman. Skuadra e Nicës ka ndërprerë në mes miqësoren e dytë të vet ndaj spanjollëve të Marbella, pasi ka cilësuar të papërshtatshme lojën e ashpër fizike të kundërshtarëve.
Ndryshimet e mëdha në kontingjentin e lojtarëve kanë shtyrë ekipin e Kukësit që të bëjë një fazë përgatitore të orientuar nga miqësoret e shumta për të parë lojtarët që ishin në provë. Ndaj kundërshtarët e verilindorëve nuk kanë qenë me emër në arenën ndërkombëtare, pasi janë trajtuar vetëm si një mjet për të parë gjendjen e futbollistëve që janë afruar gjatë dimrit nga kuksianët. Ndërkohë, Flamurtari nuk ka nisur ende serinë e ndeshjeve miqësore, pasi ditët e para në Turqi i ka kaluar duke zhvilluar më shumë stërvitje të karakterit fizik, për të kaluar vetëm në javën e ardhshme në ndeshje ku do të punohet mbi aspektin taktik të skuadrës që nuk ka pasur shumë lëvizje në merkaton e janarit.
Ndeshjet
LAÇI
Laçi-Fraiburg 0-2
Laçi-Marbella 1-0
SKËNDERBEU
Skënderbeu–F.C Ferreiras 3-0
Skënderbeu–Jang Bojs 0-2
PARTIZANI
Partizani-Darmshtad 1-2
Partizani-Neftçi 0-2
Karlsruhe-Partizani 2-2
Holshtajn Kiel-Partizani 4-0
KUKËSI
Kukësi-Kaizar Kizilorda 1-1
Kukësi–Buniodkor 1-2
Kukësi-Al Itihad 1-1
TEUTA
Teuta-Gençlerbirligi 0-4
Teuta-Kaizerispor 0-0