Videoja e festës së Ardian Bardhit pas suksesit të Dinamos bëri xhiron e rrjeteve sociale dhe mori reagime edhe nga njerëz të futbollit shqiptar.

Në intervistën ekskluzive për Top Channel, presidenti i Dinamos tregon se një pjesë e kolegëve të tij e kanë uruar për suksesin, por kur pyetet nëse këto marrëdhënie shkojnë edhe në drejtim të bashkëpunimit, ai tregohet i rezervuar. “Ka, nga ata kolegë që më kanë uruar, kanë qenë ata që e kuptojnë futbollin…” I pyetur nëse janë edhe bashkëpunues me të për të ndihmuar Dinamon në momente të caktuara, Bardhi përgjigjet: “Nuk di të të jap një përgjigje të tillë se sa dhe si.”

Ndërkohë, presidenti tregon se videoja ka marrë një jehonë shumë më të madhe nga sa mund të imagjinohej dhe se reagimet kanë ardhur nga njerëz që e njohin, por edhe nga persona që nuk kanë pasur më parë kontakte me të.

Madje, mesazhi më interesant ka ardhur nga Italia. “Patjetër interesantja që më kanë thënë janë: ‘Hajde, do të drejtosh klubet italiane!’” Por Bardhi e bën të qartë se nuk ka ndërmend të largohet nga projekti i tij. “Jo, jo, unë jam këtu. Do ec me Dinamon. Do vazhdoj projektin e Dinamos, sa të kem mundësi.”

Sipas presidentit, videoja ka ndikuar edhe në imazhin e klubit dhe në interesin e lojtarëve për t’iu bashkuar Dinamos. “Tani të gjithë duan të vijnë te Dinamo, që kemi një staf të mrekullueshëm, kemi çuna të mrekullueshëm.” Nga një festë spontane në dhomat e zhveshjes, te mesazhet nga Italia dhe interesi i ri për Dinamon. Një video që, sipas Bardhit, ka kthyer energjinë edhe te një klub që dikur “po merrte të tatëpjetën”.

Shënim – Ky material është ekskluziv i Top Channel. Ndalohet riprodhimi, publikimi apo përdorimi i tij, i plotë ose i pjesshëm, pa autorizim dhe pa përmendur burimin.

Top Channel