Stadiumi


Qeveria shqiptare investon 444 milionë lekë, FSHF i shton 900 mijë euro


Stadiumi i ElbasanitRikonstruksioni i stadiumit “Ruzhdi Bizhuta”, tashmë i njohur zyrtarisht si “Elbasan Arena”, do të kushtojë rreth 4.2 milionë euro. Kjo është shifra që del nga shpenzimet e kryera bashkërisht nga qeveria shqiptare dhe FSHF, për të kthyer këtë impiant në të vetmin në vendin tonë që përputhet me standardet ndërkombëtare. Dëshira për ta bërë atë një stadium sa më modern, ka shtyrë qeverinë shqiptare të shtojë investimin saj për këtë vepër madhore, ndërsa të njëjtën gjë e ka bërë edhe FSHF, duke i qëndruar besnike parimit të ndarjes së shpenzimeve në raportin 80%-20%.


Dje është publikuar në Fletoren Zyrtare Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 411, datë 20.06.2014, “Për bashkëfinancimin e projektit të stadiumit “Ruzhdi Bizhuta”, Elbasan dhe financimin e Parkut Olimpik të Tiranës”. Sipas këtij vendimi u caktua: 1. Bashkëfinancimi, në masën 444000000 (katërqind e dyzet e katër milionë) lekë, nga buxheti i shtetit, për përfundimin e projektit të rikonstruksionit të stadiumit “Ruzhdi Bizhuta”, Elbasan. 2. Fondet e destinuara për bashkëfinancimin e projektit të stadiumit “Ruzhdi Bizhuta”, Elbasan, do të transferohen në formë granti, në llogarinë ekonomike 604, programi buxhetor 08140, “Programi për sportin”, në llogarinë bankare, në një bankë të nivelit të dytë, me përfitues Federatën Shqiptare të Futbollit”.


Kjo shifër e caktuar nga shteti shqiptar është dyfishi i asaj që ishte parashikuar të shpenzohej për rikonstruksionin e stadiumit të qytetit të Elbasanit në momentet kur u arrit akordi mes qeverisë shqiptare dhe FSHF-së. “Plani fillestar ndryshoi për shkak të transformimit të vazhdueshëm të projektit, duke filluar nga ndryshimi që iu bë fasadës me kërkesë të Kryeministrit, pastaj të rikonstruksionit të sheshit para stadiumit dhe rrugëve rreth e rrotull impiantit”, shpjegojnë për “Shqip” burime pranë FSHF-së. “Kjo ka bërë që vlera e përgjithshme e projektit ndërtimor të dyfishohet, pasi janë përfshirë edhe këto shpenzime të reja, të cilat sipas akordit do të mbulohen nga qeveria shqiptare. Kësaj shume i duhen shtuar edhe rreth 900 mijë euro të shpenzuara deri tani nga FSHF, e cila me rritjen e investimit të qeverisë shqiptare, ka rritur edhe ajo kontributin e saj në raport të drejtë në bazë të marrëveshjes dypalëshe. Pas këtyre ndryshimeve në planin fillestar u vendos që FSHF të investonte përsëri si te ndenjëset apo edhe dy ekranet LED që do të vendosen në këtë stadium, për ta bërë atë të ngjashëm me impiantet moderne europiane. Shpenzimi i qeverisë shqiptare dhe ai i FSHF së bashku arrijnë shifrën 4.2 milionë euro për rikonstruksionin e këtij impianti. Gjithsesi, kjo shifër edhe mund të rritet sa i përket shpenzimeve të FSHF-së, pasi po shihen mundësi të përmirësimit të mëtejshëm të projektit”, shpjeguan burimet e gazetës.


Sipas VKM-së së publikuar dje, efektet financiare për financimin e projektit do të mbulohen nga fondi rezervë i Këshillit


të Ministrave për vitin 2014. Në të njëjtën mënyrë do të veprohet me financimin e shumës së parë prej 200 milionë lekësh për fillimin e fazës së parë të ndërtimit të “Parkut Olimpik të Tiranës”, që do të konstruktohet me etapa të ndryshme deri në përfundimin e tij.