Sfida e dytë gjysmëfinale e Kupës së Shqipërisë mes Partizanit dhe Elbasanit, e luajtur në Arenën e Demave, ka shkaktuar polemika të forta mes dy skuadrave.
Pas ndeshjes, skuadra e Partizanit ka reaguar ashpër ndaj gjyqtarit Eldorian Hamiti, duke e akuzuar për ndihmën në kualifikimin e Elbasanit në gjysmëfinale përmes një penalltie të akorduar. Ata kanë shpallur gjithashtu gjyqtarin Hamiti si “non grata” në postimet e tyre në rrjetet sociale.
Përgjigja nga Elbasani ka qenë e menjëhershme, gjithashtu përmes rrjeteve sociale, ku verdheblutë kanë postuar një video të një episodi tjetër të diskutueshëm, ku futbollisti i Partizanit, Fadeiro, duket se godet Kasën në zonë, por gjyqtari Hamiti vazhdon lojën dhe sistemi VAR nuk ndërhyn.
Videoja u shoqërua me një mesazh thumbues: “Thjesht ‘Reagim’…” mbi të, duke u dukur më shumë si një ironi ndaj rivalëve të kryeqytetit sesa një protestë e vërtetë për mënyrën e gjykimit të ndeshjes.

