Elbasani është gati të rikthehet në arenën europiane pas dy dekadash mungesë. Verdheblutë do të përballen të martën në mbrëmje me BATE Borisov në ndeshjen e parë të raundit kualifikues, që do të zhvillohet në “Elbasan Arena”.

Në konferencën për shtyp para sfidës, trajneri Ivan Gvozdenoviç u shpreh se skuadra është e përgatitur për këtë përballje dhe se afrimet e reja janë përshtatur mirë me grupin.

Tekniku serb theksoi se synimi është të merret një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë, por nënvizoi se kualifikimi do të vendoset vetëm pas dy takimeve. Ai komentoi edhe momentin jo të mirë që po kalon BATE Borisov në kampionatin bjellorus, duke paralajmëruar se në kompeticionet europiane kundërshtari mund të shfaqet krejt ndryshe.

Në të njëjtën linjë ishte edhe kapiteni Bruno Lulaj, i cili u bëri thirrje tifozëve të mbështesin skuadrën në këtë sfidë të rëndësishme.

Ndeshja mes Elbasanit dhe BATE Borisov do të luhet të martën në orën 20:00 në “Elbasan Arena”, ku vendasit synojnë ta nisin me fitore rikthimin e tyre në kupat e Europës.