“Dua të luaj më shumë”. Me hapjen e merkatos së janarit gjithnjë e më pranë, Endrick ka dhënë sinjale të qarta se e ardhmja e tij te Real Madrid mund të jetë në pikëpyetje. Sulmuesi brazilian kërkon më shumë hapësira në fushë, ndërsa interesimi nga disa klube europiane po shtohet.

Në një prononcim nga grumbullimi me kombëtaren e Brazilit, 20-vjeçari u shpreh se prioriteti i tij është të luajë rregullisht dhe të marrë vendimet më të mira për karrierën.

“E ardhmja ime? Jam vetëm 20 vjeç, kështu që do të shoh si do të evoluojnë gjërat. Dua vetëm të luaj, të jem i lumtur dhe të ndihmoj shokët e mi të skuadrës. Nuk e di se çfarë do të ndodhë në janar, gjithçka është në duart e Zotit. Kërkoj vetëm të mund të bëj atë që është më e mira për karrierën time”, deklaroi Endrick.

Sulmuesi foli edhe për marrëdhënien me trajnerin Jose Mourinho, për të cilin pati vlerësime pozitive, duke theksuar interesimin e tij edhe për jetën jashtë futbollit.

“Mourinho është një person fantastik. Çdo ditë vjen te unë, më pyet si jam, por nuk flet kurrë për futbollin. Do të dijë për jetën time private. Më pëlqen sjellja e tij dhe i jam mirënjohës për atë që po bën”, u shpreh braziliani.

Roma, Milani dhe Sporting në garë për sulmuesin

Ndërkohë, sipas raportimeve të medias spanjolle “AS”, Endrick po shqyrton mundësinë e largimit nga Real Madridi, pasi nuk ka arritur të sigurojë minutat e dëshiruara. Deri më tani, ai ka regjistruar vetëm 140 minuta aktivizim.

Në këtë situatë, njerëzit pranë futbollistit kanë nisur kontaktet me disa klube të interesuara. Në mesin e skuadrave që përmenden janë Roma, Milani dhe Sporting Lisbona.

Klubi portugez raportohet se ka nisur lëvizjet konkrete për transferimin e tij. Një kalim te Sportingu mund t’i japë Endrick mundësinë të punojë sërish me Paulo Fonseca, me të cilin ka bashkëpunuar gjatë periudhës së tij te Olympique Lyon.

Merkatoja e janarit pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e sulmuesit brazilian, i cili kërkon një skuadër ku mund të ketë më shumë protagonizëm dhe vazhdimësi në lojë.