Kombëtarja shqiptare ka mbyllur përgatitjet për ndeshjen e sotme ndaj Andorrës e që do të luhet në orën 20:45 dhe ekskluzivisht do të transmetohet në Digitalb. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Sylvinho zhvilluan një seancë të plotë stërvitore, ndërsa të gjithë lojtarët janë gati për sfidën.
Atmosfera brenda grupit përshkruhet si shumë pozitive dhe i gjithë ekipi e stafi janë të motivuar për të zhvilluar një ndeshje të mirë.
Sfida ndaj Andorrës është e parafundit në kualifikueset e Botërorit 2026, ndërkohë që më datë 16 nëntor kuqezinjtë do të përballen me Anglinë në stadiumin “Air Albania” të Tiranës në duelin e fundit të kësaj fushate kualifikuese në Grupin K.
Ndërsa sonte Shqipëria luan finalen me Andorrën për një vend në play off-in e Botërorit 2026, tekniku i Kombëtares, Sylvinho, u shpreh se Andorra është një kundërshtare e fortë dhe këtë e ka treguar me Serbinë e Anglinë.
Ai tha se nuk është i shqetësuar për lojtarët që nuk kanë minutat me klubet e tyre, por i beson lojtarëve që ka grumbulluar.
“Nuk na ka rënë të punojmë shumë në fushë, por jemi marrë më shumë me video. I shoh lojtarët shumë të motivuar. Lojtarët e dinë që duhet të japin maksimumin në fushë. Duhet të përqendrohemi që të marrim tre pikë shumë të vështira. I mori barazim në pjesën e parë Serbisë, Anglia mezi e mundi 0-1.
Ka një trajner që i njeh lojtarët e tij dhe i merr maksimumin. Të tjerët mund të thonë që është një kundërshtar më i lehtë në letër, por është një përballje shumë e vështirë.
Nesër (13.11) deri në drekë mund të kemi vendosur për formacionin. Më shumë se moduli, fokusohem te karakteristikat e lojtarit. Këtu jemi fokusuar. Mund të ketë disa ndryshime në seanca të ndryshme të ekipit.
Do fusim lojtarë që mund të krijojnë hapësira. E kemi studiuar Andorrën, por ka një modul ndryshe nga Serbia. Është një ekip që nuk pëson shumë gola. Lojtarët e dinë. Ky është elementi më i rëndësishëm. Do fusim lojtarët që krijojnë hapësira për të tjerët
E kam shumë të qartë lojtarët që mund të futen dhe të shënojnë. Nuk jam i shqetësuar për lojtarët që nuk luajnë me klubet e tyre. Kemi 4-5 lojtarë që shënojnë. Në këto 3 vite rrugëtim kemi disa lojtarë që kanë shënuar me Kombëtaren, kështu që e kam të qartë pak a shumë kë do të aktivizoj”.
