Legjenda e futbollit anglez, Alan Shearer, ka ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e Cristiano Ronaldos me kombëtaren e Portugalisë, duke deklaruar se sulmuesi portugez duhet të mendojë seriozisht për fundin e aventurës së tij ndërkombëtare.

Pas eliminimit të Portugalisë nga Spanja në Kupën e Botës 2026, ish-sulmuesi i Anglisë vlerësoi karrierën e jashtëzakonshme të Ronaldos, por theksoi se prania e tij mund të kufizojë hapësirat për lojtarët e rinj.

“Po flasim për një gjigant të futbollit që ka thyer çdo rekord. Më pëlqen përkushtimi i tij, mënyra se si luan dhe dëshira për të vazhduar, por është një situatë e vështirë”, u shpreh Shearer.

Ai kritikoi edhe trajnerin e Portugalisë, Roberto Martinez, duke thënë se duhej të kishte bërë një zëvendësim gjatë ndeshjes ndaj Spanjës.

“Kur Portugalisë i duhej një gol, mendoj se ai duhej ta hiqte Ronaldon dhe të fuste një lojtar tjetër. Çdo sulmues portugez që vjen do të përballet me të njëjtin problem nëse Ronaldo nuk tërhiqet”, deklaroi ish-kapiteni anglez.

Shearer u shpreh se do të ishte i befasuar nëse Ronaldo do të vazhdonte të luante për Portugalinë edhe pas dy vitesh.

“Ronaldo është 41 vjeç. Nuk do ta nënvlerësoja kurrë, por do të habitesha shumë nëse ai do të ishte ende pjesë e kombëtares pas dy vitesh”, tha ai.

Në fund, ish-futbollisti i dha një këshillë pesë herë fituesit të Topit të Artë.

“Është gjithmonë më mirë të largohesh nga skena kur njerëzit ende kërkojnë më shumë nga ti. M’u duk se ky turne ishte një hap më shumë seç duhej për të dhe për Portugalinë”, përfundoi Shearer.

Ai shtoi gjithashtu se Ronaldo mund të ketë një të ardhme si trajner pas përfundimit të karrierës si lojtar, duke thënë se nëse një ditë dëshiron të drejtojë Portugalinë, mundësia mund t’i jepet.