Çështja


Kampioni i Europës ka kërkuar në Federatën Botërore të dëgjohet nga paneli i gjyqtarëve


Titulli i Kampionit të Europës, i fituar në Kampionatin Europian të Peshëngritjes të zhvilluar në Antalia vetëm rreth një muaj më parë dhe pjesëmarrja e peshëngritësit të njohur shqiptar Erkand Qerimaj në aktivitetin më të madh të vitit 2012 për këtë sport, në Olimpiadën e Londrës, janë vënë në rrezik të madh.


Peshëngritësi i talentuar shqiptar, sikurse është konfirmuar dje, ka rezultuar pozitiv në testin antidoping që i është nënshtruar në europianin e Antalias, aty ku ai u shpall edhe Kampion Europe në peshën 77 kg. Sipas një shkrese të dërguar më 4 maj të këtij viti në adresë të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Federata Botërore e Peshëngritjes njofton se pas testeve të bëra në urinën e Qerimajt është gjetur një substancë e familjes “Metyl hexanamine” e përfshirë në listën e të ndaluarave qysh nga viti 2011. Sipas udhëzimeve të institucionit më të madh të peshëngritjes në botë, substanca e kësaj familjeje gjendet në nutrimentet ushqimore, në mënyrë tipike ato që janë të dizajnuara për të rritur energjinë apo për humbjen e peshës. Kampioni Qerimaj ka bërë dy analiza, njëra e befasishme 8 ditë para europianit dhe tjetra ditën e garimit. Në të dyja këto teste Qerimaj ka deklaruar se përdorte vitamina Badi Sërxh. Në të parën, ku i është nënshtruar në Shqipëri, përgjigjja ka dalë negative, ndërkohë që në të dytën, me po të njëjtat vitamina dhe substanca, ai ka rezultuar pozitiv. Një nga elementet e kësaj vitamine është edhe substanca në fjalë, e cila u përket stimuluesve të dobët. Edhe vetë Qerimaj ka konfirmuar se është vënë në dijeni për rezultatin e analizave, të cilat e kanë gjetur me doping dhe tashmë po përgatitet të mbrohet. Për këtë arsye, peshëngritësi Kampion i Europës në peshën 77 kg ka kërkuar në Federatën Botërore të Peshëngritjes të dëgjohet në panel nga gjyqtarë që caktohen me short. Për mungesë kohe dhe dokumentacioni Qerimaj është përfaqësuar nga sekretari Ilir Kraja dhe doktori i ekipit kanadez, shqiptaro-kanadezi Alban Merepeza. Tashmë Erkand Qerimaj pret përgjigjen përfundimtare nga Federata Botërore e Peshëngritjes. Në rast se paneli, i përbërë nga gjyqtarë të institucionit më të lartë të peshëngritjes në botë, konfirmon se faktin se ai do të jetë pozitiv, atëherë Qerimaj do të rrezikojë të humbasë së pari titullin Kampion në Antalia 2012, por edhe pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Londër 2012.