Mesfushori i majtë mund të debutojë në fundjavë me ekipin francez


Ermal Kuka


ermir lenjaniMerkatoja e janarit ka shënuar dje një tjetër lëvizje të një futbollisti të kombëtares shqiptare. Ermir Lenjani, ndonëse mendohej se do të transferohej në Gjermani apo Itali, ku ndiqej nga disa skuadra, ka vendosur në fund të shkojë në Francë, ku sot pritet të firmosë me ekipin e Stad Rene. Lajmi është konfirmuar nga trajneri i St. Galen, Xhef Saibene, i cili ka bërë të ditur se futbollisti shqiptar po kryente vizitat mjekësore te klubi francez dhe largimi i tij nga Zvicra ishte thuajse një çështje e përfunduar.


Paraqitjet e shkëlqyera me kombëtaren shqiptare, si dhe fakti se kontrata e lojtarit me St. Galen përfundonte me mbylljen e këtij sezoni, e kishin bërë Lenjanin një nga emrat më të kërkuar të merkatos mes futbollistëve të përfaqësueses kuqezi. Lojtari kishte refuzuar të rinovonte me klubin zviceran, arsye pse në muajin e fundit nuk u aktivizua nga klubi i tij. Kjo ftohje e marrëdhënieve të lojtarit me klubin zviceran bëri që për Lenjanin të interesoheshin hapur disa skuadra të njohura si Shtutgarti në Bundesligë apo Verona në Serie A. Vetë futbollisti, pavarësisht interesimit të madh, vendosi të mos jepte asnjë sinjal rreth të ardhmes së tij, duke lënë çdo opsion të hapur. Por ndërsa pritej që ai të shfaqej dje në stërvitjen e parë të vitit me St. Galen, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Trajneri i klubit zviceran, Saibene, ka sqaruar se kjo nuk ishte një protestë e lojtarit, por se Lenjani ishte shumë pranë firmës në kampionatin francez. “Ai aktualisht po kryen vizitat mjekësore te Stad Rene. Të shohim se si do të rrjedhin ngjarjet, por me shumë mundësi do të largohet nga ne”, deklaroi ai për mediat zvicerane.


Kontaktet mes Lenjanit dhe klubit të Stad Rene kanë filluar që pas ndeshjes Francë-Shqipëri, të zhvilluar pikërisht në stadiumin e kësaj skuadre. Paraqitjet e futbollistit të aktivizuar si mesfushor i majtë në atë sfidë nga trajneri De Biazi, kanë bindur klubin që aktualisht gjendet në vendin e 8-të në kampionatin francez të nisë diskutimet me të për një transferim të mundshëm. Si rrjedhojë, Lenjani ka udhëtuar në ditët e para të janarit drejt Francës për të kryer vizitat mjekësore, të cilat i ka kaluar me sukses dhe tashmë mbetet vetëm çështja e nënshkrimit të kontratës me klubin e ri.


Pengesa e vetme e tij për kalimin në Francë është St. Galen, ku ai ka edhe 6 muaj kontratë. Klubi, duke parë interesimin e madh për lojtarin shqiptar, mendohet se kërkon rreth 1 milion euro për të lënë të lirë që në janar 25-vjeçarin. Zgjatja e negociatave për shifrën e transferimit të futbollistit do të penalizonte ndjeshëm futbollistin e kombëtares shqiptare, i cili dëshiron të stërvitet që këtë javë me skuadrën e re dhe mundësisht të debutojë në fundjavë në sfidën kundër Evian. Por meqë Lenjani ka udhëtuar drejt Francës me lejen e St. Galen, mendohet që ai të ketë siguruar një akord parimor mes palëve dhe sot do të hedhë firmën në një kontratë trevjeçare. Mediat franceze dje kanë bërë të ditur se bisedimet janë në “fazë të avancuar” dhe se firma e prezantimi pritet gjatë ditës së sotme.


 


Mesfushori


 


Vizitat


Lenjani ka kryer gjatë ditës së djeshme të gjitha vizitat mjekësore te klubi i Stad Rene dhe ka nisur bisedimet zyrtare për transferimin


 


Miqësorja


Mesfushori kishte bindur klubin francez që pas miqësores Francë-Shqipëri, të luajtur pikërisht në stadiumin e skuadrës së Stad Rene


 


Stad Rene


Klubi që aktualisht gjendet në vendin e 8-të në kampionatin francez, në sezonin e kaluar arriti deri në finalen e Kupës së Francës