Ditët e fundit në Itali, në media po flitet për hetimet e Prokurorisë së Milanos ndaj agjencisë së organizimit të eventeve “Ma.De” për favorizim dhe shfrytëzim prostitucioni nga ku 4 persona janë në arrest shtëpiak.
Nga hetimet e kryera rezulton se ishin të përfshirë edhe dhjetëra futbollistë, emrat e të cilëve u zbuluan në një faqe dekreti për kontroll mbi personat në hetim dhe bëhet fjalë për shumë emra të njohur të botës së sportit, nga Bastoni te Carlo Augusto, nga Leao te De Winter, nga Vlahovic te Scamacca e Calafiori. Janë këto mbiemra disa prej fjalëve kyçe që Prokuroria e Milanos ka cituar në këtë dekret dhe që do të shërbejnë për të analizuar telefonët dhe pajisjet e tjera elektronike të të hetuarve.
Këto fjalë kyçe që u publikuan fillimisht nga e përditshmja “Il Giornale” dhe më pas edhe nga agjencia italiane e lajmeve “ANSA”, nuk i referohen në mënyre eksplicite futbollistëve që nuk shfaqen me emër e mbiemër. Por është e qartë lidhja me rreth 70 lojtarë të njohur të Interit, Milanit, Juventusit e madje edhe kombëtares italiane.
Disa prej futbollistëve mund të kenë marrë pjesë në festat e lokaleve milaneze të natës të organizuara nga “Ma.De”, por nuk e kanë shfrytëzuar ‘shërbimin ekstra’ me netë në hotel dhe marrëdhënie seksuale me pagesë dhe në disa raste të shoqëruar me të ashtuquajturën ‘droga e të qeshurës’ që është oksidi i azotit. Në dekretin e kontrollit flitet vetëm për pagesa prej mijëra eurosh për një total që arrin në 500 mijë euro, në këmbim të organizimit të mbrëmjeve të tilla përmes transferimeve bankare.
ANSA thekson se në listën e fjalëve kyçe të indikuara nga Prokuroria për të analizuar celularët, shfaqen më shumë se 60 mbiemra mes të cilëve Vlaohovic, Bisseck, Calafiori, Ricci e Scamacca. Por “Il Giornale” zbulon edhe emra të tjerë të njohur. si Hakimi, Coutinho, Skriniar, Giroud e Menez. Megjithatë këta futbollistë nuk janë nën hetim dhe nuk kanë kryer asnjë krim. Fakti që janë të cituar në dekretin e kontrollit dhe sekuestros të ekzekutuar dy ditë më parë së bashku me 4 arrestimet, nuk do të thotë se janë të përfshirë në mbrëmjet e organizuara dhe qe janë nën hetimin e Guardia Di Finanza./ Top Channel
