MIQËSORET


Shqipëria do të luajë në 29 maj testin miqësor me Katarin në Austri, ndërsa në 3 qershor do të zhvillojë dhe testin e fundit përgatitor para Europianit, në Bergamo të Italisë kundër Ukrainës


KUSH RREZIKON


De Biazi do të marrë me vete në Francë vetëm 23 lojtarë dhe me shumë gjasa, lojtarët që do të kthehen në shtëpi janë: Herolind Shala, Frederik Veseli, Amir Rrahmani dhe Milot Rashica


De Biazi, listaTrajneri publikon listën me 27 lojtarë, por 4 do të mbeten në shtëpi


Ndodhi ashtu siç ishte parashikuar, pa surpriza dhe hatër mbetje, ndoshta me përjashtim të Hamdi Salihit, i cili konsiderohet si mungesa e madhe. Trajneri i kombëtares shqiptare Xhani de Biazi ka publikuar dje listën paraprake prej 27 futbollistësh të përzgjedhur për Europianin 2016. Megjithatë, pas fazës përgatitore që do të zhvillohet në Austri, ku ekipi do të qëndrojë deri në 23 maj, lista do të reduktohet në 23 emra, me 4 futbollistë që do të duhet të kthehen në shtëpi. Padyshim mungesa e madhe e listës parparpake është ajo e Hamdi Salihit. 28 golat e shënuar këtë sezon në Superiore, ku u shpall kampion dhe kryegolashënues me Skënderbeun, si dhe kontributi shumë vjeçar në kombëtare, nuk i kanë mjaftuar shkodranit për të bindur De Biazin. “Janë zgjedhje që një trajner i bën dhe paguan pasojat, ose merr frytet. Unë besoj se në këto momente skuadra jonë ka nevojë për lojtarë me karakteristika të tjera”, – sqaron trajneri lënien jashtë të Salihit. Tekniku italian ka grumbulluar talentin kosovar Milot Rashica, zbulimi i kampionatit holandez me skuadrën e Viteshes. “Mendoj se Rashica ka bërë një sezon të jashtëzakonshëm, e jo rastësisht në gjurmët e tij janë gjysma e skuadrave të rëndësishme.  Por, nuk është e thënë që do të vijë, kemi 27 lojtarë. Mund të mos vijë, por edhe mund të vijë. Sa i takon Rrahmanit, ai ka qenë në skuadër gjatë gjithë pjesës së dytë të kualifikueseve”. Në portë, konfirmohen tre emrat e zakonshëm: Etrit Berisha, Orges Shehi dhe Alban Hoxha. Për sa i përket mbrojtjes, që zë dhe një vend të konsiderueshëm në listë me 9 lojtarë të përzgjedhur, pjesë e saj janë Arlind Ajeti, Naser Aliji, Berat Gjimshiti, Mërgim Mavraj, Amir Rrahmani, Lorik Cana, Elseid Hysaj, Ansi Agolli dhe Frederik Veseli. De Biazi ka grumbulluar plot 10 futbollistë në repartin e mesfushës: Ledian Memushaj, Ergys Kaçe, Andi Lila, Migjen Basha, Odise Roshi, Burim Kukeli, Ermir Lenjani, Herolind Shala, Taulant Xhaka dhe Amir Abrashi. Në sulm trajneri i kombëtares do të ketë me vete në Austri 5 alternativa, Bekim Balaj, Sokol Çikalleshi, Armando Sadiku, Shkëlzen Gashi dhe Milot Rashicën. De Biazi nuk kërkon që zgjedhjet e tij të paragjykohen, pasi gjithçka është bërë në pavarësi të plotë. “Përpara katër vjetësh e gjysmë kur mora drejtimin e skuadrës, premtova se do të punonim me pasion dhe shumë sakrificë për të realizuar atë që nuk ishte bërë ndonjëherë. Mos më pyesni përse është ky lojtar apo përse mungon ai tjetri, – shpjegon De Biazi zgjedhjet e tij. – Ata që janë këtu kanë kontribuuar në mënyrë të rëndësishme për të arritur në Francë 2016. Duhet të bëja zgjedhje, i kam bërë në autonomi të plotë dhe nuk kam pasur asnjë problem dhe kërkoj gjithmonë që të vë skuadrën përpara gjithçkaje”. Pasi konfirmoi se Taulant Xhaka nuk rrezikon prej dëmtimit të përpara dy javëve dhe se Ledian Memushaj do të shkëputet për disa ditë nga kampi i kombëtares, për të luajtur me Peskarën në “play-off”, De Biazi shpjegoi si do të realizohet zgjedhja e 23 lojtarëve në “Euro 2016”. “Zgjedhjet do të bazohen vetëm te gjendja fizike dhe te dëshira për të marrë pjesë dhe për të qenë skuadër. Me lojtarë që nuk mërziten nëse nuk luajnë, por janë vetëm të lumtur kur luajnë. Ky është aspekti më i rëndësishëm. Skuadrat që fitojnë nuk kanë probleme të brendshme. Janë të lumtur kur ata që janë në fushë, marrin rezultate, zbaviten dhe nuk varin turinjtë. Këto janë ndryshimet thelbësore”. Në fund, trajneri i Shqipërisë kishte edhe një thirrje për lojtarët, duke thënë se vetëm kualifikimi në evenimentin Francë nuk mjafton. “Së pari për ne është një vitrinë e rëndësishme dhe kemi mundësinë të tregojmë vlerat në një aktivitet, ku askush nga ne nuk ka luajtur më parë. Është e kot të fshihemi: është hera e parë që do të hyjmë në televizor, pasi zakonisht kemi qenë përpara televizorit duke parë të tjerët. Sot jemi në televizor dhe jemi ne protagonistët. Fakti që jemi në Francë do të thotë që kemi bërë diçka të rëndësishme, por kjo nuk mjafton. Nuk shkojmë në Francë për turizëm”.