Kalojnë turin mes drithërimave Mançester Junajtid dhe Liverpul. Kualifikohen katër spanjollet
Të kualifikuar – Sporting Braga, Fenerbahçe, Valencia, Liverpul, Sparta Pragë, Lacio, Shakhtar Donjeck, Atletik Bilbao, Bajer Leverkusen, Totenhem, Borusia Dortmund, Mançester Junajtid, Sevilja, Vijareal, Bazel, Anderleht
Mançester Junajtid ka arritur të fitojë 5-1 në ndeshjen e kthimit kundër Midtjylland, duke shmangur një eliminim të turpshëm nga Europa League. Skuadra e drejtuar nga Luis Van Gal kishte humbur 2-1 ndeshjen e parë dhe u gjet në disavantazh edhe në takimin e dytë në shtëpi. Por autogoli i Bodurov, dygolëshi i debutuesit Rashford dhe golat në fund të ndeshjes të Herrera e Depai i mundësuan ekipit anglez kalimin mes 16 më të mirëve të turneut.
Liverpuli i Jurgen Klop është kualifikuar jo pa vështirësi përballë Augsburgut, të cilin arriti ta mundte në takimin e kthimit me rezultatin 1-0. Ndeshja e parë mes dy skuadrave ishte mbyllur pa gola dhe penalltia e Milner në fillimin e takimit, bëri që kualifikimi të mbetej i hapur deri në vërshëllimën përfundimtare. Por ekipi gjerman nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës dhe i dha lamtumirën turneut, ashtu si Shalke, që pësoi një humbje të turpshme përballë Shakhtar Donjeck në shtëpi. Pas barazimit 0-0 në sfidën e parë në Ukrainë, mendohej se ekipi gjerman do ta kishte të thjeshtë të fitonte në fushën e vet. Por kundër çdo parashikimi, Shakhtar Donjeck shënoi golin e avantazhit me Marlos në pjesën e parë dhe pastaj e kishte të thjeshtë jo vetëm të administronte këtë rezultat, por edhe të gjente dy herë të tjera rrugën e rrjetës me Ferreira dhe Kovalenko.
Përfaqësuese të Gjermanisë në Europa League mbeten Bajer Leverkusen dhe Borusia Dortmund, të cilat kaluan rivalet portugeze që kishin përballë. Leverkuseni triumfoi pa shumë vështirësi me shifrat 3-1 përballë Sporting Lisbonës, ndërsa Dortmundi i Tushel, 1-0 në fushën e Portos, duke u konfirmuar si një pretendent kryesor për të bërë të tijin trofeun.
Ekipet spanjolle vazhdojnë të jenë favoritët për të fituar trofeun. Kampionët në fuqi të Seviljes, ndonëse janë mundur 1-0 në fushën e Moldes, kanë arritur të kalojnë në fazën tjetër të turneut falë suksesit 3-0 të ndeshjes së parë në shtëpi. Në turin tjetër kanë kaluar edhe Atletik Bilbao dhe Valencia, por surpriza e vërtetë e mbrëmjes është Vijareali që barazoi 1-1 në fushën e Napolit, rezultat që i mjaftoi për kualifikimin. Eliminimi i Fiorentinës pas humbjes 3-0 kundër Totenhemit, bëri që në garë të mbetej vetëm një skuadër italiane, Lacio, e cila mundi 3-1 Gallatasarajin.
Rezultatet
Moskë-Fenerbahçe 1-1
Rapid Vjenë-Valencia 0-4
Liverpul-Augsburg 1-0
Krasnodar-Sparta Pragë 0-3
Lacio-Gallatasaraj 3-1
Shalke-Sh. Donjeck 0-3
Bilbao-O. Marsejë 1-1
Leverkusen-Sporting L. 3-1
Totenhem-Fiorentina 3-0
Porto-B. Dortmund 0-1
Olimpiakos-Anderleht 1-2
Junajtid-Midtjylland 5-1
Molde-Sevilja 1-0
Napoli-Vijareal 1-1
Bazel-St. Etien 2-1