Europa LeagueBorusia Dortmund dhe Liverpuli janë ndarë në paqe në ndeshjen e parë çerekfinale në Europa League. Dy skuadrat që shihen si pretendente për fitoren e trofeut, kanë dhuruar spektakël në fushë në një ndeshje të hapur, me raste në të dy portat. Origi kaloi në avantazh miqtë para fundit të pjesës së parë, ndërsa Humels barazoi rezultatin në 1-1 në fillimin e të dytës. Më pas, u deshën disa ndërhyrje vendimtare të Vaidenfeler nga njëra anë dhe Minjolet në tjetrën që rezultati të mos ndryshonte më, pavarësisht tentativave të të dy skuadrave për të shënuar.


Sevilja është konfirmuar si një “specialiste” e Europa League, duke fituar me përmbysje 2-1 ndeshjen e parë në fushën e Atletik Bilbaos. Skuadra baske luajti më mirë në pjesën e parë dhe kaloi në avantazh me Aduriz në fillimin e fraksionit të dytë të lojës. Por fillimisht Koloxhiejczak gjeti barazimin pas një dhurate të mbrojtësve vendas, ndërsa më pas, Iborra vulosi fitoren e rëndë në transfertë për ekipin që ka fituar dy edicionet e fundit radhazi të këtij turneu.


Shakhtar Donjeck nuk e kishte të vështirë të mposhte portugezët e Sporting Braga, të pamësuar të luajnë në nivele të tilla. Skuadra ukrainase luajti më e tërhequr, por arriti të shfrytëzonte mundësinë e parë që iu krijua, duke kaluar në avantazh me gjuajtjen e parë në kuadrat para pushimit të ndeshjes. Braga iu afrua barazimit me Silvan, i cili goditi traversën, por ndërsa dukej se mund të rihapte diskutimin e kualifikimit, u ndëshkua nga Ferreira, i cili dyfishoi shifrat për miqtë. Eduardo arriti të shkurtonte diferencën në minutat shtesë, por suksesi 2-1 në trasnfertë bën thuajse të sigurt kalimin e Shakhtar Donjeck në gjysmëfinale.


Vijareali ka marrë një fitore të rëndësishme 2-1 ndaj Spartës së Pragës, por duhet të tregohet i kujdesshëm në ndeshjen e kthimit në Republikën Çeke. Spanjollët kaluan në avantazh me Bakambu që në minutën e tretë pas një gabimi të portierit mik, por nuk arritën të dyfishonin shifrat pavarësisht rasteve të krijuara, duke u ndëshkuar në shtesën e pjesës së parë nga Brabec. Gjithsesi, dominimi i vendasve vazhdoi në pjesën e dytë, ku erdhi goli i dytë personal i Bakambu, i cili i dha suksesin skuadrës së tij.


 


Europa League


Çerekfinalet



  1. Braga-Sh. Donjeck 1-2


90’+2′ Eduardo / 45′ Rakitski, 78′ Ferreira


Vijareal-S. Pragë    2-1


3′, 63′ Bakambu / 45’+4′ Brabec



  1. Bilbao-Sevilja 1-2


48′ Aduriz / 56′ Koloxhiejczak, 83′ Iborra



  1. Dortmund-Liverpul 1-1


48′ Humels / 36′ Origi