Lewis Hamilton ka fituar garën e Çmimit të Madh të Singaporit në Formula 1, suksesi i gjashtë sezonal për pilotin e Mercedes, që sheh t’i afrohet gjithnjë e më shumë titullit kampion (britaniku ka 28 pikë avantazh karshi Vettel pas kësaj gare). Një garë e çmendur ajo e zhvilluar nën dritën e projektorëve në pistën qytetase të Marina Bay, që nisi me shi dhe aksidente, me makinën e sigurisë që hyri tri herë në pistë, me 8 pilotë të tërhequr dhe që zgjati dy orë.


Pikërisht vonesat e ndodhura gjatë garës, detyruan organizatorët të aplikojnë rregulloren që një garë nuk duhet të zgjasë më shumë se 120 minuta. Në vendin e dytë u klasifikua Daniel Ricciardo me Red Bull, ndërsa në të tretin Valtteri Bottas me makinën tjetër Mercedes. Zhgënjen Ferrari, e përfshirë në një aksident që në xhiron e parë, me dy pilotët e saj që lënë garën dhe nuk marrin asnjë pikë.


Gara nis me surpriza, pasi që në kthesën e parë tërhiqen Kimi Raikkonen (Ferrari) e Max Verstappen (Red Bull), pas një kontakti, ndërkohë që viktimë e këtij aksidenti është edhe Sebastian Vettel (Ferrari).


Pra, dy makinat “kokëkuqe” dalin nga sfida vetëm pas pak metrash garë, duke i hapur “dritën jeshile” Lewis Hamilton me Mercedes. Britaniku, që e nisi garën i pesti, përfiton nga këto tërheqje dhe nga një start i mirë, duke marrë shpejt komandën e garës, ndjekur nga Danil Ricciardo (Red Bull).


Pas 5 xhirosh nën ritmin e makinës së sigurisë, Hamilton nis të shkëputet dhe bën një garë më vete. Në xhiron e 12-të sërish në pistë hyn makina e sigurisë, pas një aksidenti të Daniil Kvyat (Toro Rosso), por kjo nuk përmbys renditjen edhe pse pilotët kryejnë ndalesat e para në bokse.


Duke parë gjithë këto ndalesa dhe kohën që fluturonte, organizatorët aplikuan rregulloren që një garë e Formula 1 duhet të përfundojë brenda dy orësh. Për pasojë, nuk do të zhvilloheshin më 61 xhiro, sipas programit, por fitues do të shpallet piloti që pret i pari vijën e finishit pas orës 16:00, duke nisur numërimi mbrapsht i kohës (gara u mbyll 3 xhiro para parashikimit).


Një fundjavë që nisi keq për Mercedes por që u mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme, ndërsa krejt e kundërta ndodhi për Ferrarin, që doli duarbosh në garën e rikthimit si protagonist. Gara e radhës e Botërorit të Formula 1 zhvillohet pas dy javësh, në Malajzi.


17 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)