UEFA


Fair PlayUEFA do të konfirmojë sot hapjen zyrtare të hetimeve për shumë klube, të cilat kanë thyer rregullat e Fair Play Financiar (FPF) duke regjistruar bilance negative poshtë kufirit të lejuar. Tashmë në objektivin e organizatës që drejton futbollin europian janë disa klube të tjera të njohura si Liverpuli, Roma, Interi dhe Monako, të cilat një edicion më parë nuk garonin në Europë, e si rrjedhojë nuk kanë dorëzuar dosjet e tyre në UEFA për mbikëqyrje.


Këtyre klubeve do t’u kërkohet që të bëjnë një raport të mirëfilltë për të gjitha shkeljet që figurojnë në llogaritë e tyre financiare, ndërsa më pas do të dalin të dëshmojnë para Komisionit të Kontrollit Financiar që kujdeset për zbatimin e rregulloreve të FPF. Për momentin, asnjë sanksion i mirëfilltë financiar nuk do të aplikohet ndaj këtyre klubeve, me përjashtim të ngrirjes së të ardhurave nga pjesëmarrja në Kupat e Europës. Gjithsesi, komisioni i UEFA-s duhet të mblidhet përsëri para se të ndërmarrë një hap të tillë, duke pasur parasysh se sidomos për klubet që marrin pjesë në Ligën e Kampioneve, fitimet janë kolosale.


Mediat angleze kanë bërë të ditur se Liverpuli mund të shpëtojë nga sanksionet e UEFA-s, ndonëse ka regjistruar thuajse 50 milionë paund humbje në sezonin 2012-2013, si dhe pak më shumë se 40 milionë paund të tjera në 10 muajt para atij sezoni. Klubi shpreson se mund t’i shmanget ndëshkimit duke klasifikuar këto shpenzime si ato të lejueshmet për stadiume. Sipas llogarive të publikuara në fundin e sezonit 2011-2012, 49.6 milionë paund ishin përllogaritur si shpenzime për stadiumin e Liverpulit, ndërsa 35 milionë paund përllogariten si shpenzime të planifikuara nga ish-pronarët e klubit, për një stadium stërvitor që më pas u anulua.


Mançester Siti dhe PSG u bënë shembull në sezonin e kaluar, me UEFA-n e cila i ndëshkoi me një gjobë prej 49 milionë paund për thyerje të rregullave, pa harruar këtu reduktimin e numrit të lojtarëve që mund të përdornin në Ligën e Kampioneve dhe kufizimin e merkatos së futbollistëve. Megjithatë, dy klubet shpresojnë që të kthejnë këtë vendim, i cilësuar i padrejtë për konkurrencën e lirë. Për këtë arsye, ata i janë bashkuar nismës ligjore të menaxherit belg Daniel Striani, i cili po përpiqet të argumentojë para Komisionit Europian se rregulloret e FPF të UEFA-s nuk u japin mundësinë klubeve të vogla të luftojnë si të barabartë me gjigantët e kontinentit që kanë financa të konsoliduara prej shumë vitesh.