Prej javësh, në media, sidomos atë spanjolle po flitet për raporte të tensionuara mes Xabi Alonsos dhe Vinicius sidomos pas El Clasicos së 26 tetorit ku sulmuesi protestoi hapur në momentin kur u zëvendësua.

Madje në orët e fundit është raportuar se situata ka arritur deri aty sa futbollisti t’iu komunikoi drejtuesve të Realit të Madridit se nuk do të rinovojë kontratën që i skadon në vitin 2027.

Trajneri i Los Blancos, Xabi Alonso ka ndërhyrë në këtë pikë duke bërë një deklaratë që shuan këtë cështje teksa foli për raportin mes tij dhe Vinicius.

“Raporti me Vinicius është i shkëlqyer-tha Xabi Alonso-është një futbollist i rëndësishëm për ne dhe ka besim reciprok mes nesh. Flasim përpara ndeshjeve, e di cfarë mendoj unë dhe unë e di se cfarë mendon ai. Kjo është mënyra më e mirë për të marrë vendime së bashku”.

Kontrata aktuale e brazilianit skadon në vitin 2027, por sipas reporterit të The Athletic, Mario Cortegana, bisedimet për rinovim janë ngrirë pikërisht për shkak të raportit të acaruar mes Viniciusit dhe trajnerit të ri të madrilenëve.

Xabi Alonso, i emëruar këtë verë, ka nisur sezonin në mënyrë premtuese, por duket se përplasjet me njërin prej futbollistëve kryesorë nuk kanë munguar.

Sipas The Athletic, tre burime të ndryshme kanë konfirmuar se Vinicius e ka shprehur shqetësimin e tij në një takim privat me presidentin Florentino Perez muajin e kaluar, duke vënë klubin përballë një situate delikate.