Një skandal i vërtetë ka shpërthyer në Kampionatin Botëror 2026, vetëm pak orë para supersfidës së fazës me eliminim direkt mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Belgjikës. Institucioni më i lartë i futbollit, FIFA, ka marrë një vendim të paprecedentë duke lejuar sulmuesin amerikan, Folarin Balogun, të zbresë në fushë, pavarësisht se ai ishte ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen e kaluar.

Ky vendim ka sjellë një reagim të ashpër dhe të menjëhershëm nga Federata Mbretërore e Futbollit të Belgjikës (RBFA), e cila e ka cilësuar këtë veprim si të pabesueshëm dhe në kundërshtim të plotë me vetë rregulloret e FIFA-s.

“Jemi të shokuar nga ky vendim”

Në një komunikatë zyrtare që po bën xhiron e botës, Federata Belge thekson se është e tronditur nga ky favorizim i hapur.

“Federata Mbretërore e Futbollit të Belgjikës (RBFA) është e shokuar nga vendimi i FIFA-s për ta shpallur lojtarin e pezulluar të Shteteve të Bashkuara, Folarin Balogun, të kualifikuar për të luajtur në ndeshjen SHBA–Belgjikë, ditën e hënë, më 6 korrik në orën 17:00 (Koha e Seattle).” – thuhet në njoftim.

Përplasja e Rregulloreve: Si po justifikohet FIFA?

Sipas RBFA-së, FIFA është justifikuar duke u bazuar në Nenin 27 të Kodit Disiplinor, i cili i jep të drejtë Komitetit Disiplinor të pezullojë zbatimin e një sanksioni të dhënë më parë. Por, belgët kanë nxjerrë zbuluar kontradiktat e vetë institucionit duke renditur rregullat që tregojnë të kundërtën:

• Neni 66.4 i Kodit Disiplinor: Ky nen thekson qartë se një karton i kuq (përjashtim nga loja) sjell automatikisht pezullim për ndeshjen e radhës të ekipit, siç ka ndodhur me të gjithë kartonët e tjerë të kuq në këtë Botëror.

• Rregullorja e Kompeticionit (Neni 10.5): Çdo lojtar i përjashtuar me karton të kuq (direkt ose dy të verdhë) pezullohet automatikisht për ndeshjen pasardhëse.

• Qarkorja Nr. 16 e FIFA-s: Kjo rregull e pezullimit automatik u është rikonfirmuar të gjitha federatave më 12 maj 2026 dhe përsëritet vazhdimisht në çdo mbledhje koordinuese para ndeshjeve.

Belgjika kërcënon me hapa të mëtejshëm

Në mbyllje të deklaratës së saj bombastike, Federata Belge bën të qartë se nuk do ta lërë me kaq këtë çështje, duke paralajmëruar lëvizje të tjera për të mbrojtur drejtësinë sportive.

“Për të mbrojtur të drejtat legjitime të të gjitha ekipeve pjesëmarrëse dhe për të mbrojtur parimet thelbësore të Fair Play-t në sportin tonë, si në këtë Botëror ashtu edhe në edicionet e ardhshme, RBFA po shqyrton të gjitha opsionet e mundshme,” – mbyllet komunikata.

Ky vendim ka ngritur dyshime të mëdha mbi integritetin e kompeticionit, ndërkohë që sytë e gjithë botës së futbollit do të jenë të drejtuar nga Seattle këtë të hënë, në një ndeshje që ka nisur të luhet me “shkëndija” jashtë fushe!

Top Channel