Federata e Futbollit e Kosovës ka shprehur dhimbjen për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-futbollistit të Kosovës U21, Fatjon Bunjaku, i cili humbi jetën në moshën 22-vjeçare pas një aksidenti tragjik.
Përmes një mesazhi ngushëllimi, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, e vlerësoi Bunjakun jo vetëm si një futbollist me të ardhme të ndritur, por edhe si një djalë me vlera të larta njerëzore.
“Fatjoni ishte shumë më tepër se një futbollist i talentuar. Ai ishte një djalë i edukuar, i përkushtuar dhe me ëndrra të mëdha, i cili me punën, karakterin dhe dashurinë për futbollin arriti të fitojë respektin e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin”, shprehet Ademi në mesazhin e tij.
Kreu i futbollit kosovar theksoi se 22-vjeçari la gjurmë si në klubet ku u aktivizua, ashtu edhe me fanellën e Kosovës U21, të cilën e përfaqësoi me përkushtim dhe krenari.
“Futbolli kosovar humbi një talent të madh, ndërsa familja, miqtë dhe bashkëlojtarët humbën një njeri të dashur, që la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e tyre”, thuhet më tej në reagim.
Në përfundim, Federata e Futbollit e Kosovës i ka shprehur ngushëllimet familjes Bunjaku dhe të gjithë të afërmve të tij, duke u solidarizuar me dhimbjen për humbjen e futbollistit të ri.
