Federata Serbe e Futbollit ka reaguar pas vendimit për ndryshimin e vendndodhjes së ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës 2026 mes Serbisë dhe Shqipërisë. Në vend të Beogradit, ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Duboçica” të Leskovacit.
Në deklaratën zyrtare, Federata Serbe shprehu mirënjohjen ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit dhe UEFA-s për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, duke nënvizuar se siguria e lojtarëve, tifozëve dhe organizatorëve ishte faktori vendimtar për këtë vendim. Në komunikatë u kujtuan incidentet e vitit 2014, të cilat dëshmojnë rrezikun e lartë që shoqëron një përballje të tillë.
Sipas Federatës, organizimi në Beograd nuk mund të ofronte garancitë e nevojshme të sigurisë, ndërsa Leskovaci shihet si një alternativë më e përshtatshme, me një atmosferë pozitive dhe me një publik që ka mbështetur gjithmonë kombëtaren serbe. Ky hap, sipas tyre, gjithashtu zvogëlon rrezikun e ndëshkimeve nga FIFA dhe UEFA dhe ndihmon në ruajtjen e imazhit të futbollit serb.
Vendimi u mor pas analizave të hollësishme mbi aspektet organizative të një ndeshjeje të konsideruar me rrezik të lartë. Federata Serbe theksoi se përvoja e mëparshme ka treguar se masat e rrepta janë të domosdoshme për të shmangur skena të padëshiruara dhe për të garantuar mbarëvajtjen e një ngjarjeje sportive të sigurt.
Ndeshja e kthimit është planifikuar për më 11 tetor, në orën 20:45, në Leskovac, ndërsa sfida e parë në Tiranë përfundoi pa gola (0-0). Ky duel është vendimtar për fatin e Grupit K në kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
Federata Serbe përfundoi reagimin e saj duke theksuar se zgjedhja e stadiumit “Duboçica” jo vetëm që ofron kushte më të sigurta, por edhe një mbështetje të fortë nga tifozët vendas, duke krijuar një ambient pozitiv për skuadrën kombëtare.