Notari amerikan ka fituar medaljen e 17-të të artë olimpike
Notari amerikan, Majkëll Felps është kthyer përfundimisht në një fenomen. Ai ka thyer të gjitha rekordet e mundshme në pishinat e notit. Felps, në garat e sotme, në Olimpiadën e Londrës, ka triumfuar në 100 metra flutur, duke fituar medaljen e 17-të të artë olimpike, përkatësisht të 21-tën në total. Me medalje të argjendtë u stolis Çad Le Klos, derisa me atë të bronztë rusi, Korotishkin. Një tjetër medalje të artë për amerikanët e ka fituar Misi Frenklin, në 200 metra shpinë, duke thyer pothuajse me 80 të qindtat e sekondës rekordin botëror. Ajo e mbylli garën në 2 minuta 4 sekonda e 6 të qindtat, duke lënë pas rusen Zueva, që fitoi medaljen e argjendtë dhe Elizabeth Beisel që mori medaljen e bronztë. Në 50 metra stil i lirë për meshkuj triumfoi francezi Manadu, derisa amerikani Kullen Xhons u stolis me të argjendtë, kurse braziliani Cesar Cielo me atë të bronztit. Në 800 metra stil i lirë për femra triumfoi 15-vjeçarja amerikane, Ledeski, që ishte si një tren në pishinë, duke fituar me shkëputje ndaj spanjolles Belmonte dhe britanikes Arlington.