Çmimet
Federata angleze e ka vlerësuar kështu trajnerin dhe mesfushorin e skuadrës së njohur, Mançester Junajtid
Skocezi i Mançester Junajtid, Sër Aleks Ferguson, është përzgjedhur si trajneri më i mirë i 20 edicioneve të fundit në Premier League. Çmimet janë ndarë nga drejtuesit e Premier League me rastin e dy dekadave futboll në elitën angleze. Paneli i përbërë nga figurat kryesore të futbollit, gazetarët dhe komentatorët anglezë, vendosi për t’ia dhënë Fergusonit këtë vlerësim prestigjioz. Skocezi ka qenë i përfshirë në betejën për titull në çdo sezon të “Premier League”, që nga viti 1992, duke qenë në krye të skuadrës nga “Old Trafford” prej 1986-s. Gjatë kësaj periudhe, ai ka pasur një sukses të pakrahasueshëm, teksa ka siguruar titullin në 12 raste, duke u bërë trajneri më i suksesshëm i epokës moderne të futbollit anglez, nën emërtimin Premier League. Triumfi i tij i parë me titull erdhi gjatë fushatës 1992-1993, sezonin e parë të “Premier League”. Suksesi i Fergit është dëshmi e menaxhimit të tij të guximshëm, i disiplinës së ashpër dhe të risive taktike dhe mënyrës me të cilën ai e ka çuar vetëm përpara lojën e futbollit. Pavarësisht se rivalët e qytetit, Siti, fituan titullin e edicionit 2011-2012, fundjavën e kaluar, Fergusoni është shprehur i sigurt në rikthimin në majë, duke rindërtuar formacionin e vet. Rajan Gigs, uellsiani i Junajtid, është përzgjedhur si lojtari më i mirë në Premier League për periudhën 20-vjeçare. 38-vjeçari, gjatë kohës së tij në “Old Trafford”, e ka fituar titullin 12 herë, dy herë Champions League dhe një mori të tëra medaljesh të tjera individuale. Ai mban numrin më të madh të ndeshjeve të luajtura në të gjithë historinë e Premier League (638). Gigs është gjithashtu i vetmi lojtar i cili ka luajtur dhe shënuar në çdo sezon të Premier League, i pari që ka rrumbullakosur 100 gola në kampionat për Mançester Junajtid.