Gjermani i Red Bull mund dy pilotët e Lotus për të marrë triumfin e parë në vendlindje
Makina e sigurisë – Ndalesa në mesin e garës erdhi pasi makina e boshatisur e Zhyls Bianki rrëshqiti përsëri drejt pistës
Incidenti – Kameramani Pol Alen u godit nga rrota e Mark Ueber në momentin kur piloti australian po kryente ndalesën e parë në bokse. Mekanikët nuk i shtrënguan rrotën e pasme makinës Red Bull dhe goma fluturoi duke goditur kameramanin, i cili u dërgua me shpejtësi në spital. Mjekët konfirmuan se ai ka vetëm të çara të lehta dhe trauma, ndërsa gjendet jashtë rrezikut për jetën.
Sebastian Fetel ka arritur të thyejë “mallkimin” duke arritur të fitojë Çmimin e Madh të Gjermanisë në Formula 1 për herë të parë në karrierë, falë suksesit në pistën e Nurburgring. Tri herë kampioni i botës me Red Bull u rezistoi sulmeve të dy makinave Lotus për të marrë këtë triumf dhe për t’u shkëputur më shumë në kreun e renditjes së kampionatit, me një diferencë prej 34 pikësh nga Fernando Alonso.
Pritej që pretendenti kryesor në këtë garë të ishte Luis Hemilton, por britaniku që dhuroi xhiron më të shpejtë në kualifikuese gaboi gjithçka që në kthesën e parë të garës, duke u kaluar nga Fetel dhe Ueber. Fakti se pjesa më e madhe e makinave kishin filluar garën me gomat e buta, bëri që strategjitë e bokseve të fillonin shumë shpejt, që në xhiron e katërt të kësaj gare. Në xhiron e nëntë, skuadra Red Bull bëri gafën e radhës me Mark Ueber, duke e lejuar të nisej pa një gomë të pasme të mbërthyer. Rrota u shkëput menjëherë dhe fluturoi mes mekanikëve në garazhet e Mercedes dhe MekLaren, duke goditur më pas një kameraman që përfundoi i shtrirë në tokë, fatmirësisht pa rrezik për jetën. Piloti australian i Red Bull u detyrua të kthehej në bokse duke humbur një xhiro për të vënë një gomë të re.
Ndërkohë, në pistë ishte Fetel që u shkëput lehtësisht nga ndjekësit e tij, falë edhe një strategjie të goditur për ndryshimin e gomave që e mbajti para rivalëve. Pikërisht kur po fillonte seria e dytë e ndryshimit të gomave, ndodh edhe çudia e dytë e kësaj gare. Makina Marusia e Zhyls Bianki u përfshi nga flakët dhe pasi piloti u largua nga njëvendëshja, ajo rrëshqiti e boshatisur përsëri drejt pistës, duke sjellë hyrjen e makinës së sigurisë. Kjo u mundësoi kryesuesve të garës të futeshin në bokse dhe të ndryshonin gomat të gjithë njëherësh, por njëkohësisht i dha mundësinë edhe Mark Ueber që të anulonte disavantazhin e një xhiroje dhe t’i bashkohej rreshtit të makinave me xhiro të plota.
Me largimin e makinës së sigurisë, u pa qartë se kjo garë do të vendosej nga strategjitë e hyrjes në bokse për ndërrimin e fundit të gomave. Fetel u fut i pari, ndërsa përfundoi pas krahëve të Hemilton me kthimin në pistë, duke e kaluar, por pasi humbi shumë kohë, ndërsa Raikonen kryesonte garën, i ndjekur nga Alonso. Por çdo hipotezë e mundshme për një garë me dy ndalesa për finlandezin dhe një fitore e lehtë përfundoi në xhiron e 49-të, kur Raikonen hyri në bokse, i ndjekur nga Alonso. Të dy dolën pas krahëve të Groszhan që po mbante vendin e dytë, me francezin që i hapi rrugë shokut të skuadrës, ndërsa bllokoi spanjollin e Ferrarit në vendin e katërt. Ndonëse Raikonen arriti të shkurtonte në më pak se një sekondë diferencën me Fetel, nuk arriti të kalonte kryesuesin e Botërorit dhe u desh të kënaqej me vendin e dytë. Groszhan mori vendin e tretë, ndërsa Alonso të katërtin. Hemilton kaloi Baton në xhiron e fundit për t’i rrëmbyer vendin e pestë, ndërsa Ueber plotësoi garën e tij me parakalime të njëpasnjëshme duke arritur një vend të shtatë mjaft të mirë, po të marren parasysh problemet e fillimit. Perez, Rosberg dhe Hulkenberg plotësuan listën e 10 pilotëve që hynë në zonën e pikëve, ndërsa duhet theksuar se Felipe Masa u largua nga gara që në xhiron e katërt, pas një rrotullimi që i dëmtoi makinën.
Renditja e Botërorit për pilotë
1. Sebastian Fetel 157 pikë
2. Fernando Alonso 123
3. Kimi Raikonen 118
4. Luis Hemilton 97
5. Mark Ueber 93
6. Niko Rosberg 84
7. Felipe Masa 57
8. Romein Groszhan 41
9. Pol Di Resta 36
10. Xhenson Baton 33
11. Adrian Sutil 23
12. Serxhio Perez 16
13. Zhan-Erik Vernje 13
14. Daniel Riçiardo 11
15. Niko Hulkenberg 7
Renditja e Botërorit për konstruktorë
1. Red Bull-Reno 250 pikë
2. Mercedes 181
3. Ferrari 180
4. Lotus-Reno 159
5. Force India-Mercedes 59
6. MekLaren-Mercedes 49
7. Toro Roso-Ferrari 24
8. Sauber-Ferrari 7
Finlandezi besonte se mund ta fitonte garën me vetëm dy ndalesa në bokse
Raikonen dhe Alonso kritikojnë skuadrat për strategjinë e garës
Vendi i dytë i Kimi Raikonen dhe ai i katërti i siguruar nga Fernando Alonso nuk i kanë kënaqur këta dy pilotë, të cilët besonin se kishin shanse më të mira për të mundur Sebastian Fetel nëse skuadrat e tyre Lotus dhe Ferrari, do të kishin zgjedhur strategji të ndryshme.
Raikonen, pas garës, ka deklaruar se ndoshta ndalesa e tij e fundit në bokse nuk ishte e detyrueshme dhe mund t’i kishte kushtuar atij një fitore të mundshme në Nurburgring. “Unë mund të ecja më shumë me gomat që kisha dhe bashkë me skuadrën na u desh të mendonim nëse mund ta çonim deri në fund garën me to. Por kisha probleme të mëdha me radion, pasi skuadra më dëgjonte, por unë jo, përveç dy kthesave të veçanta në të gjithë pistën. Nuk kisha mundësi diskutimi të gjatë me ta, por tani pyes veten mos ishte më mirë që të shkonim deri në fund të garës pa ndryshuar gomat 11 xhiro para fundit, pasi ishin në rregull në ato momente”, tha finlandezi, që para ndërrimit të gomave kryesonte garën. Sipas tij, nëse gara do të vazhdonte edhe 2-3 xhiro të tjera, ai do të kishte mundur të kalonte Fetel, pasi ishte më i shpejtë se gjermani. “Është i vështirë parashikimi se çfarë do të ndodhte nëse do të vazhdonte gara. Por ne kishim shpejtësi dhe me shumë mundësi do të kishim dueluar dhe do ta kisha kaluar”.
Ndërkohë, Fernando Alonso ka bërë të qartë se Ferrari duhej të bënte përmirësime të mëdha nëse dëshironte që të kishte shanse për të fituar në garën e radhës në Hungari. Sipas tij, skuadra duhej të analizonte pse gomat nuk duronin aq sa në makinat e tjera. “Kemi vuajtur për shkak të rendimentit të ndryshëm të gomave në krahasim me pritshmërinë dhe jemi penalizuar shumë nga zgjedhjet që bëmë të shtunën. Ishte një garë e vështirë, pasi pavarësisht llojit të gomave, duhej të ishim të shpejtë në garë, gjë që nuk ndodhi. Nuk ishim konkurrues, sidomos në pjesën e parë, pasi paguam shtrenjtë faktin që kishim zhvilluar 4 xhiro në kualifikuese me ato goma. U desh të futesha në bokse në xhiron e 14, ndërsa Baton qëndroi në pistë deri në xhiron e 21. Në këtë mënyrë humbëm të gjithë avantazhin e strategjisë sonë falë gomave që ishin shumë të konsumuara. Tani duhet të shkojmë në Hungari me idenë për të përmirësuar kualifikueset që të nisim garën para Fetel”, tha spanjolli i Ferrarit, që vazhdon të jetë i dyti në renditjen e Botërorit.
Ankesa për skuadrën kishte edhe Luis Hemilton, sidomos për faktin se gomat e makinës së tij Mercedes nuk ishin në gjendje të mirë dhe penalizuan çdo shans për një vend në podium. “Po e përmbaj veten, pasi realisht nuk kam asgjë pozitive për të thënë rreth këtyre gomave. Duket qartë se kemi një makinë të mirë, por ajo nuk funksionon siç duhet me këto lloj gomash”, ishte ankesa e britanikut që mbylli garën në vendin e pestë.
Kryesuesi
Vetel: Sa mirë që ishin vetëm 60 xhiro!
Sebastian Fetel ka pranuar se nëse gara do të zgjaste edhe 2-3 xhiro të tjera, ai mund të kishte humbur kryesimin e tij ndaj Kimi Raikonen që ishte më i shpejtë se ai. “Më kanë shtyrë në limit gjatë garës. Është e pabesueshme! Jam shumë, shumë i lumtur. Kimi shtyu shumë në fund. Skuadra Lotus u mundua të bënte diçka ndryshe, duke zgjedhur goma të tipit tjetër në fund të garës. Thjesht jam i lumtur se gara ishte me 60 xhiro dhe jo me 61 apo 62. Jam shumë i lumtur me këtë rezultat dhe me fitoren e parë në Gjermani”, u shpreh kampioni i trefishtë i botës që duket se po i drejtohet titullit numër 4, pasi ka krijuar një distancë sigurie ndaj ndjekësve. Piloti gjerman ka qenë relativisht i kënaqur edhe me gomat “Pirelli”, që duket se kishte zgjidhur problemet që u shfaqën në Silverston një javë më parë. “Bënë një punë të shkëlqyer dhe nuk kishim probleme gjatë fundjavës, ndaj duhet t’i bëjmë komplimente”, tha Fetel.